Design

Lagjja e së ardhmes pa makina, do të strehojë 12 mijë banorë!

Një model i ri urban po merr formë në Utrecht të Holandës, ku po zhvillohet Merwede, një lagje e projektuar për t’u dhënë përparësi njerëzve dhe jo automjeteve. Projekti parashikon ndërtimin e rreth 6 mijë banesave, ku pritet të jetojnë afërsisht 12 mijë persona. Ndryshe nga zonat tradicionale urbane, rrugët e lagjes do të jenë të orientuara drejt lëvizjes në këmbë dhe me biçikletë, ndërsa automjetet nuk do të kenë qarkullim të zakonshëm në sipërfaqe.

Për të shmangur trafikun dhe për të liruar hapësirën publike, parkimi i makinave do të organizohet në struktura nëntokësore dhe zona të caktuara në periferi të lagjes. Merwede është konceptuar gjithashtu si një hapësirë e gjelbër, me parqe, kopshte dhe çati të mbuluara me bimësi. Projekti përfshin edhe përdorimin e energjisë diellore, duke synuar një mënyrë jetese më të qëndrueshme për banorët.

Ideja kryesore është krijimi i një mjedisi urban ku njerëzit mund të lëvizin më lirshëm, të kalojnë më shumë kohë në hapësira të përbashkëta dhe të jetojnë me më pak zhurmë e ndotje nga trafiku. Me këtë koncept, Utrecht synon të tregojë se si mund të projektohen lagjet e së ardhmes, duke vendosur në qendër cilësinë e jetesës, gjelbërimin dhe transportin alternativ.