Megaoperacion në Malësinë e Madhe, sekuestrohen 265 kg kanabis dhe mina antitank
4 persona vihen në pranga, 3 në kërkim
Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shkodrës, pas katër muajsh hetime në bashkëpunim me Prokurorinë, ka çuar në sekuestrimin e mbi 265 kilogramëve kanabis, dy minave të dyshuara antitank dhe disa mjeteve të tjera. Në kuadër të operacionit të koduar “POLINOMI”, katër persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete. Gjatë kontrolleve janë zbuluar gjithashtu dy mina të dyshuara antitank.
Të arrestuarit janë Admir Selgjekaj, 38 vjeç, Elsid Ramci, 25 vjeç, Bujar Kukaj, 56 vjeç, dhe Naim Kukaj, 52 vjeç.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për Esat Kukajn, 58 vjeç, Denjan Kukajn, 23 vjeç, dhe Anarldo Mulletin, 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim.
Kontrollet në Malësinë e Madhe, kanabisi u gjet në automjet dhe banesa
Ndërhyrja e policisë u krye në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, ku efektivët ndaluan një automjet tip “Volkswagen Passat”. Kontrollet e mëtejshme u shtrinë edhe në banesat e dy vëllezërve Bujar dhe Naim Kukaj.
Sipas policisë, në këto ambiente dhe në automjet u gjetën 265.4 kilogramët e kanabisit, të ndarë dhe të paketuar në mënyrë të tillë që dyshohet se ishte përgatitur për shitje dhe trafikim.
Gjatë kontrolleve në një sipërfaqe toke në pronësi të Bujar Kukajt u zbuluan edhe dy mina të dyshuara antitank. Për shkak të natyrës së rrezikshme të municioneve, ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminime të mëtejshme.
Dyshimet për ndarjen e roleve në aktivitetin e paligjshëm
Nga hetimet paraprake, sipas autoriteteve policore, dyshohet se anëtarët e familjes Kukaj merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike, ndërsa tre personat e tjerë kishin role në organizimin e transportit dhe shitjes së saj, brenda dhe jashtë territorit shqiptar.
Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me të.
Operacioni dhe rezultatet e tij u prezantuan nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në një deklaratë për mediat nga drejtuesi Dashamir Spaho.
Të gjithë personat e përmendur në këtë çështje prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



