Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Polinomi”, pas një hetimi katërmujor nën drejtimin e Prokurorisë.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe dy mina të dyshuara antitank. Katër persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në një konferencë për mediat, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, bëri me dije se shtatë persona dyshohet se janë të përfshirë në veprimtarinë e një grupi kriminal që merrej me prodhimin, magazinimin, paketimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë A. S., 38 vjeç, E. R., 25 vjeç, si dhe dy vëllezërit B. K., 56 vjeç, dhe N. K., 52 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur E. K., 58 vjeç, D. K., 23 vjeç, dhe A. M., 39 vjeç.
Si funksiononte grupi i dyshuar kriminal?
Sipas hetimeve, B. K., N. K., D. K. dhe E. K., të cilët kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin, dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Ndërsa A. S., E. R. dhe A. M. dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ndërhyrja e policisë u krye në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, ku u ndalua një automjet tip “Volkswagen Passat”, i drejtuar nga 25-vjeçari E. R.
Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesat e dy vëllezërve të arrestuar, efektivët gjetën dhe sekuestruan 265.4 kilogramë kanabis, të përgatitur dhe të paketuar për shitje e trafikim.
Zbulohen edhe dy mina të dyshuara antitank
Kontrollet vijuan edhe në një sipërfaqe toke në pronësi të 56-vjeçarit B. K., ku u zbuluan dy mina të dyshuara antitank. Mjetet shpërthyese iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminime të mëtejshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete, të cilat, sipas hetimeve, dyshohet se përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas Policisë së Shkodrës, personat e përfshirë kanë precedentë të mëparshëm kriminalë në fusha të ngjashme.













