Një grup kriminal i dyshuar për prodhimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike u godit nga Policia e Shkodrës, pas një hetimi katërmujor të zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë. Në kuadër të megaoperacionit të koduar “Polinomi”, u sekuestruan 265.4 kilogramë kanabis, dy mina të dyshuara antitank, shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete. Në përfundim të operacionit u arrestuan katër persona:
A.S., 38 vjeç, E.R., 25 vjeç dhe dy vëllezërit B.K., 56 vjeç dhe N.K., 52 vjeç. Ata dyshohen për vepra penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe, në rastin e 56-vjeçarit, edhe për armëmbajtje pa leje dhe mbajtjen e armëve shpërthyese e municionit.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim E.K., 58 vjeç, vëllai i dy të arrestuarve, D.K., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit, si dhe A.M., 39 vjeç. Sipas Policisë, të shtatë personat janë banues në Malësinë e Madhe dhe dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, ata kanë precedentë të mëparshëm kriminalë në të njëjtat fusha.
Gjatë ndërhyrjes në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet tip “Volkswagen Passat”, që drejtohej nga E.R. Kontrollet në automjet dhe në banesat e B.K. dhe N.K. çuan në zbulimin e 265.4 kilogramëve kanabis, të përgatitur dhe të paketuar për shitje e trafikim.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të B. K., u gjetën edhe dy mina të dyshuara antitank. Ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminime të mëtejshme.
Përveç lëndës narkotike dhe minave, si prova materiale u sekuestruan edhe shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete që, sipas hetimeve, përdoreshin për transportimin e drogës.
Nga hetimi katërmujor ka rezultuar se B.K., N.K., D.K. dhe E.K., të cilët janë familjarë, dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike. Ndërsa A.S., E.R. dhe A.M. dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Policia e Shkodrës vijon kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim. Në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe përcaktimin e rolit të secilit.
Gjatë konferencës për median, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi intensiv dhe i përdorimit të metodave proaktive. Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë.