Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka ndërprerë sërish seancën plenare, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për t’i hequr fjalën kreut të PD-së, Sali Berisha.
Gjatë seancës, Peleshi deklaroi se vendimi për t’i ndërprerë fjalën Berishës erdhi pas thirrjeve për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Ai theksoi se ky vendim mund të kundërshtohet përmes mekanizmave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.
“Vendimin mund ta sfidoni nga kanalet që ju jep Rregullorja. Interpretimi i Rregullores gjatë seancës nga kryetari i Kuvendit nuk mund të diskutohet”, u shpreh Peleshi.
Për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët demokratë, kryetari i Kuvendit njoftoi ndërprerjen e seancës deri në lirimin e saj.
“Sërish pushim deri sa të lirohet foltorja”, deklaroi Peleshi, duke bërë të qartë se punimet e Kuvendit do të rifillojnë vetëm pasi të krijohen kushtet për vijimin normal të seancës.













