Protestë në Kosovë në mbrojtje të grave, kërkohet llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse pas vrasjes në Pejë

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë vijon sot protesta e nisur një ditë më parë kundër vrasjes ndaj grave. Qindra qytetarë u mblodhën edhe të mërkurën për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara në Kosovë, ku u regjistruan edhe momente tensioni. Organizatorët kërkojnë llogaridhënie institucionale pas vrasjes së paralajmëruar të 49-vjeçares në Pejë.
“Do të bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen”- deklaruan ata. “Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar, për siguri e liri për gratë e gjalla dhe drejtësi për gratë e vrara”- thuhet në njoftimin e tyre. Protesta të ngjashme u njoftuan edhe në Ferizaj.
Protestuesit kërkojnë hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse, shkarkimin e zyrtarëve që nuk kanë vepruar për çështjen e Arlinda Zekajt dhe masa për mbrojtjen e grave. Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të ashpra publike, pasi 49-vjeçarja tre ditë para tragjedisë kishte dorëzuar një letër në Prokurorinë Themelore të Pejës, përmes së cilës kishte kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj.
Sot ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në Kosovë duhet t’i dorëzojnë kryeministrit Albin Kurti edhe raportin e hartuar për veprimin e zinxhirit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë, pasi sipas tij ngjarja tregoi se kishte qartazi neglizhencë nga ana e tyre. Gjetjet e tij, Kurti paralajmëroi se do t’i bëjë publike. Brenda këtij viti në Kosovë janë vrarë 8 gra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




