
Seanca plenare e Kuvendit ka nisur mes tensioneve dhe përplasjeve mes opozitës dhe mazhorancës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj deputetëve të shumicës, duke i lidhur qëndrimet e tyre me protestën e studentëve dhe reagimin e policisë.
Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, Berisha deklaroi se, sipas tij, në kushtet aktuale nuk mund të flitet për procedurë parlamentare, ndërsa jashtë Kuvendit vijon protesta e studentëve.
“Nuk ka procedurë dhe Kuvend. Procedura është policia që godet revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura dhe vrasjet që janë porositur. Janë më kriminelë se ata që sot janë në qeli”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së vijoi akuzat ndaj mazhorancës, duke e akuzuar se po qëndron kundër studentëve dhe të rinjve shqiptarë. Ai e cilësoi situatën si një betejë për të ardhmen e vendit.
“Si ka mundësi ngriheni kundër studentëve dhe fëmijëve të shqiptarëve? U vratë shpresën, doni t’i vrisni dhe fizikisht. Kjo është betejë për çdo shqiptar dhe për të ardhmen”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Berisha përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për vjedhjen e shqiptarëve dhe duke e cilësuar qeverisjen si një organizatë kriminale.
“Largohuni nga Kuvendi, ju nuk e keni vendin këtu, e keni kthyer në Parlament të krimit”, tha Berisha, ndërsa paralajmëroi se Rama mund të përballet me një fat të ngjashëm me atë të ish-diktatorit rumun Nicolae Ceaușescu, nëse vijon në këtë rrugë.
Akuzat e Berishës u artikuluan në një seancë të zhvilluar në sfondin e protestave studentore dhe përplasjeve politike mes opozitës dhe mazhorancës.