Në Supreme shqyrtohet kundërshtimi i Jeton Vllasaliut ndaj burgimit të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

Të enjten, në Gjykatën Supreme po zhvillohet seanca për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Ngjarja për të cilën ata po përballen me akuzë ka ndodhur në vitin 2021, ndërsa motivi i pretenduar ishte përfitimi i dobisë pasurore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të lidhura

None found

Gjatë paraqitjes para gjykatës, Jeton Vllasaliu deklaroi se qëndronte pas qëndrimit të avokatit të tij dhe se nuk pajtohej me aktgjykimin e shkallës së parë, përmes të cilit ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e datës 28 maj 2025, i shpalli fajtorë Jeton dhe Nexhat Vllasaliun dhe i dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit. Ky vendim u konfirmua më vonë edhe nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dy të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”, të përcaktuar në nenin 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria pretendon se, nga 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, kishin planifikuar privimin nga jeta të dëmtuarit Bedri Rexhepi, me synim përfitimin e dobisë pasurore.

Gjithashtu, ndaj tyre është ngritur akuzë edhe për veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, sipas nenit 413, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.


Shtuar më 29.10.2026 10:52