Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kërkuar zbardhjen e të gjitha vendimeve dhe mosveprimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe nisjen e hetimeve penale ndaj personave përgjegjës.
Gjatë deklarimit në Kuvend, Abrashi ngriti pikëpyetje për trajtimin e kërcënimeve ndaj Zekajt, vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për urdhrin e mbrojtjes dhe vlerësimin e rrezikut para se ajo të kthehej në shtëpi.
Ai kritikoi urdhrin e mbrojtjes, i cili, sipas tij, lejonte afrimin deri në dy metra brenda shtëpisë, duke pyetur se çfarë mbrojtjeje mund të ofronte një masë e tillë për një grua të kërcënuar.
Abrashi ka theksuar se avokatja e Zekajt kishte paralajmëruar për rrezikun, kishte denoncuar shkeljet dhe kishte kërkuar hetim disiplinor, por kërkesa ishte refuzuar nga Kryeprokuroria e Pejës.
“Gjykata Themelore në Pejë nxori një urdhër mbrojtje që lejonte afrimin deri në dy metra brenda shtëpisë. Dy metra! Çfarë mbrojtje është kjo? Një grua e kërcënuar nga dy burra detyrohet të jetojë dy metra larg njerit prej të cilit kërkonte mbrojtje. E asnjë metër larg tjetrit. Kjo është mizori e jo drejtësi. Avokatja kishte paralajmëruar për rrezikun, kishte denoncuar shkeljet dhe kishte kërkuar hetim disiplinor. Kryeprokurorja e Pejës e refuzoi kërkesën”, ka theksuar ai.
Ai ngriti gjithashtu pyetje lidhur me vendimin për ta shoqëruar Zekajn në shtëpi më 25 tetor dhe vlerësimin e sigurisë së saj, duke theksuar se ajo u vra pak minuta pasi policia u largua.
Abrashi kërkoi që Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor të zbardhin menjëherë çdo vendim, udhëzim dhe mosveprim të lidhur me rastin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të nisin procedurat përkatëse.
“Të identifikohen përgjegjësit dhe të nisin menjëherë procedurat përkatëse. Nuk mjafton masa disiplinore. Duhet hetim penal sa më parë. Asnjë minutë më shumë”, deklaroi Abrashi në Kuvend.