Incizime të publikuara së fundmi nga mediat kanë bërë të ditur identitetin e zyrtarit policor nga Peja që komunikoi drejtpërdrejt me Arlinda Zekajn, disa ditë para se ajo të vritej.
Bëhet fjalë për togerin Faruk Muqolli, pjesëtar i Stacionit të Policisë në Pejë, sipas incizimit.
Të lidhura
None found
Transkripti i publikuar në emisionin MAT tregon se Zekaj ishte paraqitur në polici për të kërkuar zbatimin e urdhrit për mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit. Në bisedën me togerin Faruk Muçolli, ajo shprehu shqetësimin për gjendjen e të birit dhe kërkoi që aktvendimi të zbatohej. Sipas transkriptit, Muçolli iu përgjigj se nuk ishte i detyruar të merrej me të.
Para vrasjes, Zekaj kishte shprehur frikën se ish-bashkëshorti i saj, Jetoni, mund ta vriste. “A duhet të më vrasë mua Jetoni?”, kishte pyetur ajo, sipas raportimeve të publikuara.
Gjatë bisedës, Arlinda Zekaj tha se shqetësimi i saj lidhej me shëndetin mendor të djalit, të cilin e përshkroi si të dëmtuar, dhe se policia nuk kishte ndërmarrë veprime. Muçolli e pyeti sa herë ishte paraqitur në Inspektorat për këtë çështje. Ajo u përgjigj se kishte shkuar shumë herë, madje tha se flinte aty.
Kur Muçolli e pyeti nëse kishte dorëzuar kërkesë apo ankesë ndaj policisë, Zekaj tha se nuk e dinte. Ai shpjegoi se, sa herë kontaktohej nga Inspektorati, kërkonte që ajo të paraqiste ankesë me shkrim. Sipas tij, ia kishte thënë edhe më parë se nuk ishte i obliguar të merrej me të, pasi kishte detyra të tjera, ndonëse ajo e kërkonte dhe ai dilte ta takonte. Ai i kërkoi të kuptonte se nuk kishte një detyrim të tillë.
Zekaj i tha se ishte lodhur dhe se duhej vetëm të zbatohej aktvendimi. Muçolli u përgjigj se edhe ata ishin lodhur dhe se, sipas vlerësimit të tij, policia po vepronte siç duhej.





