Mes tensioneve, përplasjeve dhe hedhjes së flakadanëve nga opozita, mazhoranca po vijon miratimin e një sërë projektligjesh në Kuvend.
Me 84 vota pro është miratuar projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, i cili kërkonte shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Në votim ishte i pranishëm edhe Edi Rama, i cili më pas u largua nga salla e mbuluar me tym.
Ndërkohë një incident u shënua teksa deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur sende në drejtim të tij teksa po largohej.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca plenare deputetët e opozitës Bledi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Xhelal Mziu për ndezjen e flakdanëve në sallë.
Çfarë parashikon projektligji për BSH?
Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, në nenin 72 parashikon një mbrojtje të posaçme për Guvernatorin nga arrestimi.
Sipas përshkrimit të dispozitës, Guvernatori do të mbrohet nga arresti me burg, arresti në shtëpi dhe çdo masë tjetër shtrënguese, nëse akuzohet për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës dhe funksionit të tij.
Projektligji është hartuar nga vetë Banka e Shqipërisë dhe është propozuar nga Ministria e Financave, siç thuhet në relacionin që e shoqëron.
Nëse akuza ka të bëjë me vepra që lidhen me funksionin, si shpërdorimi i detyrës ose korrupsioni i lidhur me të, vendimi kalon përmes filtrit të Kuvendit, i cili vlerëson nëse vepra ka lidhje direkte me detyrën.
Nëse Kuvendi e vlerëson se lidhja ekziston, arrestimi nuk mund të kryhet. Për vepra që nuk lidhen me funksionin, siç mund të jetë një aksident rrugor me pasojë vdekjen, mbrojtja nuk zbatohet dhe arrestimi mund të bëhet sipas procedurës së zakonshme.














