Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u kërkoi deputetëve të zbatojnë ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura. Ajo paralajmëroi se shkeljet mund të pasohen me kontrolle nga Inspektorati dhe gjoba.
Gjatë seancës, Haxhiu tha se tymi dhe era e duhanit po ndikojnë edhe në punën e saj, pasi ndihen deri në zyrën e kryetares. Sipas saj, kjo e vështirëson kryerjen e detyrës.
Të lidhura
None found
Ajo u bëri thirrje deputetëve të mos pinë duhan në ambientet e mbyllura të Kuvendit dhe të respektojnë ligjin e miratuar nga vetë institucioni.
Haxhiu paralajmëroi se, nëse ndalesa vazhdon të shpërfillet, do t’i kërkojë Inspektoratit të hyjë në ambientet e Kuvendit dhe të gjobisë deputetët që shkelin ligjin.
Kryetarja e cilësoi këtë si thirrjen e fundit, duke vënë në dukje se moszbatimi i rregullave nga deputetët mund të dëmtojë zbatimin e barabartë të ligjit. Ajo theksoi se institucionet që miratojnë ligje duhet të jenë të parat që japin shembull për respektimin e tyre.
Në përfundim, Haxhiu përsëriti se nëse deputetët nuk i përgjigjen paralajmërimit, do t’i drejtohet Inspektoratit për ndërhyrje dhe veprime në përputhje me përgjegjësitë e tij.



