Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se projektligji për industrinë e mbrojtjes planifikohet të përfundojë gjatë vitit 2027, ndërsa koncept-dokumenti për këtë industri pritet të dërgohet në Qeveri për miratim javën e ardhshme.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të Aleancës, Burim Ramadani, lidhur me afatet, buxhetin dhe vonesat në hartimin e kornizës ligjore, Maqedonci tha se fillimisht është dashur të përgatitet koncept-dokumenti, si hap paraprak për hartimin e ligjit.
“Draft-koncept dokumenti për industrinë e mbrojtjes është duke u shoqëruar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara për hartimin e dokumenteve strategjike. Për sa i takon ligjit, fillimisht është dashur të hartojmë koncept-dokumentin për industrinë e mbrojtjes”, deklaroi Maqedonci.
Ai bëri të ditur se grupi punues e ka përfunduar draftin e parë më 27 gusht 2026, ndërsa pas konsultimit publik janë përfshirë komentet e nevojshme dhe dokumenti përfundimtar është finalizuar këtë javë.
“Dokumenti final është përfunduar këtë javë. Nga java e ardhshme, ne do ta përcjellim në Qeveri për miratim dhe më pas do ta sjellim në Kuvend brenda këtij viti, në mënyrë që t’i hapë rrugë që qysh në fillim të vitit të ardhshëm, në janar, të miratohet ligji për industrinë e mbrojtjes. Ligjin planifikojmë që ta përfundojmë në vitin e ardhshëm”, tha ministri.
Maqedonci përmendi edhe bashkëpunimin me disa shtete gjatë procesit të hartimit të dokumentit, përfshirë Kroacinë, Estoninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveninë dhe Shqipërinë.
pSipas tij, në këtë proces është përfshirë edhe Oda Ekonomike Amerikane.