Friday / October 30 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Ulja e rreme e taksës, 340 milionë euro që hiqen nga nafta, do paguhet te taksat e makinës dhe TVSH

Share Share Icon

Qeveria ka vendosur që të heqë taksën e qarkullimit mbi karburantet, prej 27 lekësh për litër, një kërkesë kjo e vazhdueshme e bizneseve dhe e publikut si një masë që do të ulte menjëherë çmimin e naftës me 32.4 lekë për litër, duke përfshirë edhe TVSH-në.

Por, kjo ulje nuk vjen pa kosto për përdoruesit e makinave, që do të kenë rritje të taksave vjetore, ndërsa qeveria nuk do të humbë asgjë.

Relacioni i projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” zbulon dhe efektet që kanë këto ndryshime në buxhet.

Të ardhurat e parashikuara nga taksa e qarkullimit për vitin 2027 rezultojnë rreth 26.0 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja e aplikuar mbi këtë taksë, rreth 5,2 miliardë lekë, pra, në total, rreth 31.2 miliardë lekë, ose rreth 340 milionë euro me kursin e sotshëm.

Ndërsa hiqet taksa e qarkullimit janë rritur taksat mbi automjetet, duke e zhvendosur tërësisht humbjen te përdoruesit e automjeteve. Sipas relacionit, rishikimi i elementeve të formulës së llogaritjes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit,

Në tërësi, nga ndryshimet e propozuara në taksimin e mjeteve të transportit, të ardhurat vjetore që parashikohen të arkëtohen në buxhetin e shtetit, pa përfshirë pjesën e të ardhurave që u takon agjentëve të mbledhjes së taksave dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, vlerësohen në rreth 33,8 miliardë lekë, nga rreth 7,2 miliardë lekë, që parashikohet të arkëtohen në vitin 2026 nga skema aktuale në fuqi, duke sjellë një rritje të të ardhurave prej rreth 26,6 miliardë lekësh në vit. Pra përdoruesit e makinave do të paguajnë gati 300 milionë euro shtesë taksa makine.

Nga ana tjetër TVSH do të rritet nga 20 në 21%, që do të shtohet automatikisht mbi çmimin e karburanteve, duke siguruar të ardhura shtesë për buxhetin dhe kosto shtesë për xhepat e bizneseve dhe konsumatorëve.

Në vitin 2025, konsumi i karburanteve në vend ishte rreth 740 mijë ton, sipas Ministrisë së Financave, ose rreth 880 milionë litra. Edhe për 9 mujorin 2027, importet kanë ndryshuar shumë pak. Me çmim mesatar prej 200 lekë për litër, bizneset dhe individët shpenzojnë rreth 1.6 miliardë euro në vit për të blerë karburant. Sipas përllogaritjeve të Monitor, nga rritja e TVSH-së me 1 pikë përqindje, të ardhurat nga TVSH vlerësohet të rriten me 15-20 milionë euro.

Krahas TVSH-së së rritur, në çmimin e naftës do të shtohet edhe një taksë e re për rezervat e naftës, e cila llogaritet në të paktën 3 lekë për litër dhe që, me konsumin aktual, përllogaritet në rreth 2.6 miliardë lekë, ose gati 30 milionë euro në vit.

Në total, vetëm nga taksat e tjera do të paguhen rreth 350 milionë euro, duke tejkaluar përfitimin prej 340 milionë eurosh nga heqja e taksës së qarkullimit.

Taksat e rritura të makinave

Projektligji “Për taksat kombëtare” i propzouar nga qeveria parashikon rritjen e taksës vjetore të automjeteve, duke ndryshuar komponentin fiks të formulës së llogaritjes.

Për makinat me cilindratë deri në 2.000 cm³, taksa vjetore do të dyfishohet, ndërsa për ato mbi këtë cilindratë rritja do të jetë 108% për naftën dhe 110% për benzinën. Në taksim futen edhe mjetet e reja 0-3 vjet. Për autoveturat me vjetërsi nga 4 deri në 30 vjet, koeficientët e vjetërsisë mbeten të pandryshuar.

Një makinë dhjetëvjeçare me naftë dhe cilindratë 2.000 cm³ do të paguajë 12.000 lekë në vit, nga 6.000 lekë aktualisht. Në skemën e taksimit do të përfshihen edhe automjetet deri në tre vjet të vjetra, që sot përjashtohen.

Për automjetet luksoze, taksa e përvitshme do të rritet nga 21.000 në 40.000 lekë, përveç detyrimit të zakonshëm vjetor.

Automjetet elektrike do të paguajnë për herë të parë një taksë fikse prej 15.000 lekësh në vit. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet në taksimin e mjeteve pritet të rrisin me 26,6 miliardë lekë të ardhurat vjetore të buxhetit të shtetit, ndërsa heqja e taksës së qarkullimit ka një efekt negativ prej 31,2 miliardë lekësh, përfshirë TVSH-në.

 

Qeveria heq taksën te nafta, deri në dyfishim të taksës vjetore për makinat, futen edhe elektriket

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Nga pëlqimet te tatimet, qeveria po përgatit skemë të re fiskale për influencerët

Të ardhurat e siguruara përmes rrjeteve sociale pritet të jenë në fokus të një nisme të re fiskale të qeverisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka ...

30 minutes më parë 7 Min Lexim

Janë zhdukur ose dëmtuar rëndë, 59 monumente natyrore drejt heqjes nga lista

Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për miratimin e listës së rishikuar dhe të përditësuar të monumenteve të natyrë...

12 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!