Nga Boldnews.al
Qeveria shqiptare ka shpenzuar nga taksat e qytetarëve mbi 45 milionë lekë të reja ose rreth 500 mijë euro për siguracionin e jetës dhe shëndetit të ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), shkalla e parë e Vetingut.
Shifrat janë përmbledhur në një raport të publikuar më herët të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Sa i përket sigurimit të jetës dhe/ ose shëndetit për Komisionerët, personat e lidhur me ta, këshilltarët, si dhe punonjësit e KPK, përgjatë viteve periudhë auditimi, vlera totale e kontraktuar është 46.464.536 lekë pa TVSH”, thuhet në Auditin e Përputhshmërisë së realizuar nga KLSH në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, publikuar në vitin 2026.

Të dhënat e kryqëzuara nga “Boldnews.al” mbi procedurat tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti i Blerjeve të Përqëndruara (sot Operatori i Blerjeve të Përqëndruara) tregojnë se, thuajse të gjitha procedurat për siguracionin e anëtarëve të shkallës së parë të Vetingut, janë fituar nga një kompani e vetme, “Sigal”.
Gjithashtu, në dokumentat zyrtare të tenderave zbulohet se të gjitha procedurat e fituara nga ‘Sigal” për llogari të strukturave të Vetingut janë fituar pa garë, duke u sinjalizuar me “flamurin e kuq”.
Siguracion për dhëmbët
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u formalizua në vitin 2017 dhe funksionoi deri në vitin 2024. Qëllimi i kësaj strukture ishte realizimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu).
Për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm, legjislatori parashikoi shpenzime të tepruara për ta, përfshirë edhe siguracion gjithëpërfshirës për jetën dhe shëndetin e tyre.
Megjithatë, dëshira për t’i trajtuar sa më mirë 12 anëtarët e KPK-së arriti në nivele thuajse absurde.
Procedurat tenderuese për siguracionin e jetës dhe shëndetit të tyre parashikonin mbulime shpenzimesh edhe për probleme, të cilat nuk dukej aspak e arsyeshme që të përfshiheshin në mbulimet e kostove nga ana e Shtetit.

Në dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al” rezulton se anëtarët e Vetingut ishin të siguruar, ndër të tjera, për “përfitime shpenzimesh dentare, trajtim dentar emergjent, mbushje, heqje, ura si dhe emergjenca dentare, impiante, proteza”.
Gjithashtu, komisionerët e Vetingut përfitonin falas edhe shërbime të “kujdesit për shikimin, kujdes për dëgjimin, trauma të vogla në gjymtyrë, etj”. Dhe, për më tepër, këto shërbime i përfitonin falas si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.
Tenderat me “flamur të kuq” për Sigal
Në shtator të vitit 2022, Operatori i Blerjeve të Përqendruara mbylli procedurën me objekt “Sigurimi i Shëndetit për Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
Në garë rezulton se ka marrë pjesë vetëm “Sigal Life”, e cila është shpallur edhe fituese.

Në muajin nëntor të vitit 2021, “Sigal Uniqa Group” ishte pjesë e një bashkimi operatorësh, të cilët u shpallën fitues për tenderin me të njëjtin objekt, për siguracionin shëndetësor të anëtarëve të Vetingut. Në procedurë nuk kishte asnjë konkurrent tjetër.
Më herët, në shtator 2020, sërish ‘Sigal” shpallet fituese për siguracionin e komisionerëve të KPK-së, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër.
E njëjta histori përsëritet edhe në tenderat e ngjashëm, të zhvilluar në vitin 2020 e 2019.














