Basha: Punimet në autostradën e Gjilanit kanë përfunduar në masën 80%

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se punimet në autostradën e Gjilanit janë realizuar në afro 80%.

Gjatë përgjigjes ndaj pyetjes së deputetes Hykmete Bajrami, ministri deklaroi se operatorët ekonomikë përgjegjës për katër lotet janë njoftuar me shkrim për ndërprerjen e kontratave, pasi nuk kanë përmbushur detyrimet e përcaktuara.

Të lidhura

None found

Ndër shkaqet e vendimit, Basha përmendi mospërmbushjen e kushteve kontraktuale, realizimin e punimeve jashtë projektit dhe kërkesave të terrenit, vonesat në zbatim, si dhe mungesën e laboratorit përkatës.

Ministri bëri publike edhe të dhënat për shpenzimet e kryera deri tani në secilin lot.

Në total, sipas tij, për këtë projekt janë shpenzuar rreth 78.5 milionë euro.

Basha tha se që prej marrjes së detyrës është marrë personalisht me problematikat e autostradës dhe se tashmë është hartuar një dosje e plotë, e cila do të përdoret për përcaktimin e veprimeve të ardhshme.

Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës planifikon të kontraktojë një kompani profesionale për të riprojektuar segmentet e nevojshme, për të përgatitur dokumentacionin e ri të tenderit dhe për të verifikuar saktësinë e cilësinë e punimeve të kryera deri më tani.

Megjithatë, Basha nuk përcaktoi një afat konkret për përfundimin e autostradës dhe hapjen e saj për qarkullim.


Shtuar më 29.10.2026 12:10