E ardhmja e Armando Brojës po bëhet shqetësuese, ndërsa dëmtimet vazhdojnë t’i ndërpresin rrugëtimin sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Kalimi nga Chelsea te Burnley, në verën e vitit 2025, shihej si mundësi e mirë për futbollistin nga Malësia e Madhe që të tregonte aftësitë e tij, por pritshmëritë nuk janë përmbushur.
Broja nuk ka arritur të bëhet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës angleze dhe problemet fizike sërish e kanë penguar. Fundjavën e kaluar, ai u detyrua të braktiste ndeshjen vetëm 13 minuta pas nisjes së saj.
Të lidhura
None found
Vështirësitë nuk janë të reja dhe po shtojnë shqetësimet për vazhdimësinë e karrierës së tij. Gjatë katër viteve të fundit, Broja ka humbur 85 ndeshje për shkak të dëmtimeve, ka qëndruar më shumë se 600 ditë jashtë fushave në takime zyrtare dhe është dëmtuar 14 herë.
Problemet e përsëritura fizike kanë ndikuar edhe te paraqitjet e tij pas rikthimit. Rendimenti ka qenë larg nivelit që tregoi në periudhën e shkëlqyer te Southampton dhe Vitesse, si edhe në dy ndeshjet mbresëlënëse me Kombëtaren kundër Hungarisë.
Nëse kjo prirje vazhdon edhe në të ardhmen, ekziston rreziku që Armando Broja të detyrohet ta përfundojë karrierën më herët se sa pritej.






