Fitorja e Listës Studentore në Serbi ka rikthyer vëmendjen te zhvillimet politike në Beograd dhe ndikimi që ato mund të kenë në marrëdhëniet me Kosovën. Pritjet lidhen kryesisht me formimin e qeverisë së re serbe dhe me politikën që ajo do të ndjekë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se dialogu mund të rifillojë pas krijimit të institucioneve të reja në Serbi. Sipas tij, ky proces lidhet edhe me përparimin e Serbisë në rrugën drejt integrimit evropian.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ende nuk dihet nëse ndryshimet politike në Beograd do të sjellin një qasje të re ndaj Kosovës apo nëse do të vijojnë politikat e mëparshme, të cilat kanë penguar avancimin e dialogut.

Bukuroca: Fitorja e studentëve mund të krijojë hapësirë për dialog, por çështja e Kosovës mbetet e ndërlikuar
Publicisti Lis Bukuroca vlerëson se fitorja e Listës Studentore mund të krijojë kushte për një orientim më demokratik dhe proevropian të Serbisë. Në një prononcim për “Bota sot”, ai tha se ndikimi i këtij zhvillimi në marrëdhëniet me Kosovën ende nuk mund të përcaktohet me siguri.
Sipas tij, disa nga deklaratat dhe orientimi i shprehur nga studentët japin arsye për një optimizëm të kujdesshëm. Ai beson se ndryshimet politike mund të përmirësojnë raportet e Serbisë me vendet fqinje, veçanërisht me ish-republikat jugosllave, ndërsa në rastin e Kosovës rruga do të jetë shumë më e vështirë.
Bukuroca thekson se një nga pengesat kryesore është Kushtetuta e Serbisë, e cila e trajton Kosovën si pjesë të territorit serb. Po ashtu, sipas tij, ndarjet e forta politike brenda shoqërisë serbe e vështirësojnë ndryshimin e qëndrimit ndaj Kosovës.
Ai shton se çështja e Kosovës është përdorur prej kohësh për mobilizim nacionalist dhe se edhe forcat e reja politike, nëse marrin pushtetin, do të përballen me këtë realitet. Për këtë arsye, ndryshimi i kursit të Beogradit nuk pritet të jetë as i shpejtë dhe as i lehtë.
Megjithatë, nëse Serbia ndjek një drejtim demokratik dhe proevropian, mund të krijohen rrethana për rifillimin e dialogut, për bashkëpunim më të madh dhe për rindërtimin gradual të mirëbesimit mes dy popujve. Sipas Bukurocës, dialogu duhet të shërbejë për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe jo të mbetet vetëm një proces formal.
Duke analizuar reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj rezultatit zgjedhor, publicisti ngre pikëpyetje mbi kalkulimet e tij politike dhe synimet e mundshme për të ardhmen.
Fakti që Vuçiqi e pranoi rezultatin pa e kundërshtuar procesin, sipas Bukurocës, mund të lidhet me përpjekjet e tij për të ruajtur ndikimin politik. Ai nuk e përjashton mundësinë që presidenti serb të synojë rikthimin në garën presidenciale, nëse rrethanat kushtetuese ia lejojnë.
Sa i përket qeverisë së re dhe gatishmërisë së saj për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Bukuroca thotë se deklaratat politike nuk mjaftojnë. Sipas tij, prova e vërtetë do të jetë rifillimi i dialogut, zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe pranimi se pa një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, perspektiva evropiane e Serbisë do të mbetet e kufizuar.
Ai vlerëson se integrimi evropian mund të përfitojë nga ndryshimet politike në Serbi, por kjo nuk do të ndodhë automatikisht. Përparimi do të varet nga respektimi i standardeve demokratike, forcimi i shtetit ligjor, funksionimi i institucioneve dhe gatishmëria për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Një element tjetër që duhet marrë në konsideratë, sipas Bukurocës, është ndikimi i Rusisë në politikën serbe. Edhe pse studentët kanë kërkuar institucione demokratike dhe shtet ligjor, në shoqërinë serbe vazhdojnë të ekzistojnë rryma politike dhe ideologjike me lidhje të ngushta ose afërsi të theksuar me Rusinë.
Për këtë arsye, mbetet e hapur çështja se çfarë drejtimi do të marrë lëvizja studentore dhe sa ndikim do të ketë ajo në politikën e ardhshme të vendit.
Bukuroca mendon se fitorja e Listës Studentore mund të hapë mundësi të reja për marrëdhëniet në Ballkan, por vetëm nëse ajo shoqërohet me ndryshim të politikës shtetërore ndaj Kosovës. Ai bën dallim mes ndryshimit të aktorëve politikë dhe ndryshimit të politikës së shtetit.
Sipas tij, për Kosovën do të jetë vendimtare nëse Beogradi heq dorë nga politika e konfrontimit dhe ndërton marrëdhënie mbi respektin e ndërsjellë. Vetëm në këtë rast, thekson ai, mund të flitet për një kthesë të vërtetë, rezultate konkrete në dialog dhe një perspektivë më të mirë evropiane për të dyja vendet.
Publicisti e konsideron mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Vuçiqit si një gabim të madh. Sipas tij, BE-ja e ka penguar gjatë dekadës së fundit ndryshimin në Serbi.
Gashi: Ndryshimi i qeverisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim i politikës ndaj Kosovës
Analisti Eduard Gashi e konsideron fitoren e Listës Studentore një zhvillim të rëndësishëm për skenën politike serbe, por paralajmëron se ky rezultat nuk garanton ndryshimin e qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës.

Në një prononcim për “Bota sot”, Gashi tha se problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk lidhet vetëm me një lider ose me një parti në pushtet. Sipas tij, çështja buron nga qëndrimi i shtetit serb ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Ai vlerëson se rezultati i Listës Studentore dëshmon se ndryshimet politike në Serbi janë të mundshme përmes proceseve demokratike. Megjithatë, largimi i një strukture politike nga pushteti, edhe pse i rëndësishëm për demokracinë e brendshme, nuk është në vetvete garanci për një politikë të re ndaj Kosovës.
Gashi nënvizon se deklarimet e deritanishme të përfaqësuesve të Listës Studentore vazhdojnë t’i referohen Kushtetutës serbe, e cila e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Disa prej tyre kanë paralajmëruar edhe rishqyrtimin e marrëveshjeve të mëparshme.
Sipas analistit, kjo tregon se demokratizimi i brendshëm i Serbisë dhe pranimi i realitetit shtetëror të Kosovës janë dy procese të veçanta dhe nuk duhet të barazohen me njëri-tjetrin.
Formimi i një qeverie të re në Beograd, sipas Gashit, mund të krijojë hapësirë për një dinamikë të re diplomatike. Megjithatë, ai e konsideron vendimtare gatishmërinë e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet dhe për të respektuar sovranitetin e Kosovës.
Ai thekson se pyetja kryesore nuk është vetëm nëse palët do të rikthehen në tryezën e dialogut, por nëse Beogradi do të kalojë nga retorika e normalizimit te zbatimi konkret i marrëveshjeve dhe respektimi i sovranitetit të Kosovës.
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 dhe Aneksi i Ohrit përmbajnë detyrime të qarta. Ato përfshijnë zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, respektimin e dokumenteve dhe simboleve përkatëse, si dhe moskundërshtimin nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Pikërisht zbatimi i këtyre detyrimeve, sipas Gashit, do të jetë një nga treguesit kryesorë për të matur seriozitetin e qeverisë së ardhshme serbe.
Analisti vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim të qëndrueshëm ndaj perspektivës evropiane të Serbisë dhe të kërkojë rezultate konkrete në procesin e normalizimit.
Integrimi evropian, sipas tij, nuk mund të mbështetet vetëm te deklaratat politike apo te gatishmëria formale për dialog. Ai duhet të shoqërohet me respektimin e shtetit të së drejtës, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe zbatim të detyrimeve ndërkombëtare.
Gashi kujton se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.
Një tjetër provë për qeverinë e re do të jetë qëndrimi ndaj sulmit të armatosur në Banjskë dhe bashkëpunimi me drejtësinë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive. Sipas Gashit, besimi mes dy shteteve nuk mund të ndërtohet pa përgjegjësi, siguri dhe respektim të rendit juridik.
Ndërkohë, ai vlerëson se edhe Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përkushtim ndaj vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb.
Gashi thekson se një angazhim i tillë nuk përbën lëshim ndaj Beogradit, por është përgjegjësi e një shteti demokratik ndaj qytetarëve të tij.
Sipas tij, dialogu nuk duhet të shndërrohet në një proces për rinegocimin e shtetësisë së Kosovës. Ai duhet të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve normale mes dy shteteve, ndërsa pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të varen nga ndryshimet elektorale në Beograd.
Analisti vlerëson se zhvillimet e fundit në Serbi duhet të ndiqen me vëmendje dhe me gatishmëri diplomatike, por edhe me realizëm politik. Gatishmëria për normalizim, sipas tij, nuk duhet të matet nga mosha, profili apo retorika e udhëheqësve të rinj, por nga vendimet dhe veprimet e tyre konkrete.
Ai përfundon se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor kërkojnë jo vetëm ndryshim qeverish, por edhe ndryshim të qëndrimeve politike që kanë penguar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Sipas Gashit, Serbia nuk ka nevojë të heqë dorë nga dinjiteti i saj për ta respektuar Kosovën. Pranimi i realitetit shtetëror të Kosovës dhe ndërtimi i marrëdhënieve mbi bazën e barazisë, për të, do të ishin hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.




