Murati sqaron: Punonjësit e RTK-së nuk përfshihen në listën e pagave të Thesarit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se punonjësit e Radiotelevizionit të Kosovës nuk përfitojnë nga paga e 13-të, pasi emrat e tyre nuk figurojnë në listën e pagave që ekzekutohet nga Thesari i shtetit.

Çështja u ngrit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo kërkoi shpjegime për arsyen pse punëtorëve të transmetuesit publik nuk u është realizuar pagesa e 13-të.

Të lidhura

None found

Murati sqaroi se vendimi i Qeverisë për pagën e 13-të zbatohet për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit dhe që përfshihen në listat e pagave të menaxhuara nga Thesari.

Sipas tij, punëtorët e RTK-së nuk hyjnë në këtë kategori, pasi transmetuesi publik nuk është organizatë buxhetore.

Ministri theksoi se RTK-ja ka statusin e një entiteti të veçantë juridik, ndërsa mënyra e financimit të saj rregullohet nga Kuvendi. Për këtë arsye, buxheti dhe pagesat e punonjësve të saj konsiderohen përgjegjësi e vetë institucionit.

Murati tha se, për sa kohë që Kuvendi nuk ka përcaktuar një buxhet ose një mekanizëm të posaçëm financimi për RTK-në, Qeveria ka vijuar ta mbështesë atë përmes subvencioneve.

Ai shtoi se menaxhmenti i RTK-së vendos për përdorimin e shumës së marrë, duke përcaktuar pjesën që shkon për paga, shpenzime operative dhe investime në pajisje.

Ganimete Musliu e kundërshtoi arsyetimin e ministrit, duke deklaruar se edhe punonjësit e RTK-së paguhen nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, për këtë arsye, duhet të trajtohen njësoj me punonjësit e tjerë të sektorit publik.

Deputetja e PDK-së e cilësoi të padrejtë ndarjen mes punonjësve të RTK-së dhe shërbyesve të tjerë civilë mbi bazën e mënyrës së financimit të tyre.

Musliu njoftoi se do të kërkojë përgjegjësi nga menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës për mosrealizimin e pagës së 13-të, duke qenë se është pjesë e komisionit parlamentar që trajton këto çështje.


Shtuar më 29.10.2026 12:30