
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, foli sot jashtë sallës së Kuvendit, ku tha se Shqipëria ndodhet në një krizë të madhe dhe se në rendin e ditës duhej të ishte zemërimi i madh i shqiptarëve ndaj qeverisë.
“Parlamenti sot duhej të kishte në rendin e ditës revoltën e studentëve.
Ngjajmë si në Kinë, kur shpërthyen protestat studentore dhe Kuvendi diskutonte planin pesëvjeçar të bujqësisë. Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë, të cilën e shohin studentët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që i përjetojnë çdo ditë vështirësitë. Ndërkohë, vjen ish-zëvendëskryeministrja këtu dhe bën karshillëk.
Besoj se edhe ju mezi e shtyni muajin, njësoj si shqiptarët e ndershëm të këtij vendi. Në rendin e ditës duhej të ishte zemërimi popullor, i cili ka zënë vend edhe në mediat ndërkombëtare”, tha Alizoti në një deklaratë për mediat.