Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën e Kolegjit ku do të elaborohen ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpallën fajtorë dhe u dënuan Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të mos lejuar mediat të raportojnë nga seanca në rastin e vrasjes së motrës së tij.
Përmes një postimi, ai ka thënë se ky vendim, sipas tij, i bën hije të keqe Gjykatës së Apelit, duke kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet me transparencë.
“Sot mora pjesë në seancën e Apelit në rastin e vrasjes së Liridonës, ku gjykata vendosi të mos lejojë mediat të raportojnë për këtë rast.
E kundërshtoj fuqishëm këtë vendim, i cili, sipas meje, i bën hije të keqe Gjykatës së Apelit”, ka shkruar Ademaj.
Ai ka theksuar se në raste të tilla, kur një grua vritet, institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë se po e kryejnë punën e tyre me përgjegjësi dhe transparencë, e jo që procesi të zhvillohet në fshehtësi.
“Kur na vriten motrat, gjykata duhet t’i tregojë botës se drejtësia po e bën punën e saj me transparencë dhe përgjegjësi, e jo që procesi të zhvillohet në fshehtësi”, ka deklaruar ai.
Ademaj ka vlerësuar se nuk ka arsye që seancat e Apelit të zhvillohen pa praninë e mediave dhe publikut, duke ritheksuar kërkesën e familjes për drejtësi për Liridonën.
“Në seancat e Apelit nuk ka asgjë të re që të arsyetojë mbylljen e tyre nga mediat dhe publiku. Ne kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe transparencë në çdo hap të këtij procesi”, ka përfunduar ai.
Liridona Ademaj u vra në nëntor të vitit 2023, ndërsa bashkëshorti i saj, Naim Murseli, është i akuzuar në këtë rast.
Mbyllet për publikun seanca e Apelit ndaj Naim Murselit dhe dy tjerëve