Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

Ky vendim vjen pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe kishte iniciuar procedurë disiplinore, siç raportoi më herët Telegrafi.


Lajmin për suspendimin e tyre e konfirmoi për Telegrafin vetë Kryeprokurori Gashi.

Suspendimi i Vuçetajt dhe Nallbani-Gacaferrit u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së me shtatë vota për. Këshilli gjithashtu themeloi një panel hetimor për shqyrtimin e çështjes.

Masat ndaj dy prokuroreve lidhen me gjetjet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.

Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale, pasi viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet shtetërore.

Tri ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj. /Telegrafi/