
Pas tensioneve në seancën plenare të 29 tetorit, deputetët e Partisë Socialiste i janë drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën me kërkesën për masa disiplinore ndaj Sali Berishës dhe gjashtë deputetëve të tjerë të opozitës.
Konkretisht, është kërkuar përjashtimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për 10 ditë, si dhe i gjashtë deputetëve të tjerë të opozitës për 60 ditë nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare.
Sipas kërkesës, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Sali Berisha ka përdorur gjuhë joparlamentare dhe nxitëse të dhunës. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës që përdoren gjatë protestave duhet t’u hidhen deputetëve të Partisë Socialiste.
Kërkuesit argumentojnë se këto deklarata përbëjnë shkelje të Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe të Rregullores së Kuvendit.
Tensionet vijuan edhe gjatë votimit të çështjeve të rendit të ditës. Në dokumentin e depozituar pretendohet se deputetët Bledion Nallbati, Ivi Kaso, Blendi Himçi dhe Xhelal Mziu përdorën lëndë ose mjete piroteknike, ndërsa Blendi Himçi, Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja hodhën sende të forta në drejtim të drejtuesit të seancës dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, kërkesa përmend bllokimin e foltores, zhurmën e vazhdueshme dhe përdorimin e mjeteve fryrëse nga deputetë të tjerë të opozitës, veprime që, sipas palës kërkuese, penguan zhvillimin e rregullt të procedurave parlamentare.
Sipas kërkesës së paraqitur, masat disiplinore të propozuara janë:
Sali Berisha: përjashtim për 10 ditë.
Bledion Nallbati: përjashtim për 60 ditë.
Ivi Kaso: përjashtim për 60 ditë.
Blendi Himçi: përjashtim për 60 ditë.
Xhelal Mziu: përjashtim për 60 ditë.
Albana Vokshi: përjashtim për 60 ditë.
Klodiana Çapja: përjashtim për 60 ditë.