Avokati Altin Goxhaj është paraqitur në ambientet e SPAK-ut së bashku me tre protestues, ku ka depozituar një kallëzim ndaj kryeministrit Edi Rama për shpifje dhe fyerje.
Në një prononcim për mediat, Goxhaj deklaroi se tre qytetarët, Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Algert Fejza, janë akuzuar publikisht nga kryeministri për precedentë penalë që, sipas avokatit, nuk ekzistojnë.
“Kemi paditur kryeministrin Edi Rama për shpifje dhe fyerje. Rama e ka cilësuar fyerjen vepër penale tashmë. Ne jemi këtu me tre qytetarë të ndershëm, Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Algert Fejza. Mbi ta është shpifur nga Rama, duke i akuzuar për precedentë penalë që nuk ekzistojnë. E kanë sjellë Ramën për shpifjen e tij të bërë botërisht”, u shpreh Goxhaj.
Avokati paraqiti edhe dëshmitë e penalitetit të tre protestuesve, duke pretenduar se dokumentet nuk përmbajnë dënime. Ai kërkoi që kryeministri të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij dhe pretendoi se, sipas ligjit, Rama duhet të paraqitet personalisht në Strukturën e Posaçme.
Edhe tre qytetarët deklaruan se ndihen të fyer nga deklaratat e kryeministrit dhe kërkuan që rasti i tyre të trajtohet nga organet përkatëse.
SPAK-u pritet të shqyrtojë kallëzimin sipas procedurave ligjore.
