Seanca në Gjykatën e Posaçme ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është shoqëruar me debate, pasi avokatët e tyre kanë refuzuar të marrin pjesë në proces, pavarësisht vendimit të Apelit Administrativ. Mbrojtësit pretendojnë se nuk janë njoftuar në rrugë ligjore për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Përballë kësaj situate, Ilir Meta kërkoi që gjykimi të vijojë dhe që ai të lejohet të mbrohet vetë, duke argumentuar se avokati i tij nuk mund të rrezikojë licencën profesionale.
Gjatë seancës, Meta ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e prokurorit Kllapi, duke e cilësuar këtë si një shenjë jo të mirë. “Fakti që mungon prokurori Kllapi nuk është shenjë e mirë. Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor”, u shpreh Meta. Ai argumentoi se situata e avokatëve lidhet me vendimet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe jo me mungesën e vullnetit për të marrë pjesë në proces. “Profesioni i avokatit varet thelbësisht nga DHKA-ja. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën. Duhej të ishte zgjidhur më herët ngërçi, pas gati 600 proceseve gjyqësore të bllokuara”, deklaroi ish-presidenti.
Meta kërkoi që, për arsye objektive, t’i lejohet të mbrohet vetë, duke iu referuar edhe rasteve të pranuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi kërkoi vijimin e seancës, duke kundërshtuar bojkotin e avokatëve. “Mendoj se bojkoti është shpërdorim i profesionit të avokatit. Kërkoj të vazhdojmë seancën, sikundër ramë dakord radhën e kaluar”, tha Kryemadhi. Prokurori Arben Kraja argumentoi se mungesa e njërit prej prokurorëve nuk përbën arsye për shkelje procedurale, ndërsa theksoi rëndësinë e pranisë së një avokati për shkak të peshës së akuzave.
Kryemadhi reagoi duke akuzuar organin e akuzës për shkelje gjatë hetimeve, përfshirë mënyrën e marrjes së provave, hyrjen në banesë dhe kontrollet. “Nuk u dhimbsen më shumë se neve akuzat tona prokurorëve. Ju keni bërë shkelje që nga ana e marrjes së provës, hyrja në shtëpi, kontrollet. Kjo që thotë prokurori është hipokrizi”, u shpreh ajo. Në vijim, Meta iu rikthye pretendimeve të tij për çështjen dhe mënyrën se si janë ngritur akuzat ndaj tij. “Mendoj se profecia ime doli si atëherë kur paralajmërova tërmetin. Ndaj meje s’ka asnjë akuzë, se po të kishte, do e kishit mbushur me kamera këtu. Po keni marrë kallëzimin e Romeo Karajt për bazë dhe shqetësohesh ti për mbrojtjen?”, deklaroi Meta.
Ai përsëriti kërkesën që seanca të vazhdojë, duke kërkuar që gjykata të marrë parasysh edhe vendimin e mëparshëm. Në përfundim të debateve, Gjykata e Posaçme u tërhoq për vendim, për të përcaktuar nëse procesi do të vijojë pa praninë e avokatëve mbrojtës.
