7 kilometra në këmbë/ E lanë futbollin pas krahëve dhe vrapuan drejt viktimave, tifozët spanjollë japin shembullin e madh të humanizmit

Në mes të tragjedisë së rëndë hekurudhore në Spanjë, tifozët e Rayo Vallecanos dhanë një shembull të jashtëzakonshëm solidariteti, duke lënë mënjanë futbollin për t’u ardhur në ndihmë personave të plagosur nga aksidenti pranë Urda-s, në provincën e Toledos.
Rreth 50 tifozë, shumë prej tyre pjesë e grupimit Bukaneros, po ktheheshin drejt Madridit pas ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Recreativo de Huelvës, kur treni me të cilin udhëtonin ndaloi për shkak të aksidentit tragjik. Sapo kuptuan se çfarë kishte ndodhur, ata vendosën të zbresin dhe të shkonin në këmbë drejt vendit të ngjarjes për të ndihmuar të mbijetuarit.
Tifozë që u kthyen në shpëtimtarë
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, tifozët përshkuan disa kilometra për të mbërritur në zonën e aksidentit. Ata kontaktuan shërbimet e emergjencës dhe iu bashkuan përpjekjeve për të ndihmuar të plagosurit, për të transportuar persona me lëndime më të lehta drejt qendrave të ndihmës dhe për t’u ofruar mbështetje pasagjerëve të tronditur nga ngjarja.
Një detaj që e bën edhe më domethënës këtë gjest është se mes tifozëve kishte edhe persona me përvojë në shërbimet e zjarrfikësve, të cilët kontribuuan në operacionet e ndihmës.
Pa kërkuar vëmendje, vetëm për të ndihmuar
Ajo që bie veçanërisht në sy është se tifozët nuk e ndërmorën këtë veprim për të fituar famë apo për t’u bërë pjesë e lajmeve. Fillimisht, grupimi i tyre nuk kërkoi vëmendje publike për atë që kishte bërë. Lajmi u përhap pasi Federata e Tifozëve të Rayo Vallecanos vlerësoi publikisht veprimin e tyre.
Edhe trajneri i Rayo Vallecanos, Beñat San José, shprehu krenarinë për veprimin e tifozëve, duke thënë se gjesti i tyre e kishte emocionuar dhe se pasqyronte vlera që shkojnë përtej futbollit.




