JD Vance kontakton zyrtarin e lartë iranian në përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë iranian, Mohsen Rezaei, në përpjekje për të rifilluar negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe për të shmangur sulme të reja ushtarake amerikane ndaj Iranit, raportoi të mërkurën The Wall Street Journal.
Sipas gazetës, letra i është dërguar Rezaeit, kreut të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, me nismën e Vanceit dhe, sipas një burimi të cituar nga gazeta, me udhëzimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Nisma synon të përcaktojë nëse të dyja palët mund të gjejnë pika të përbashkëta për të bindur Trumpin të mos urdhërojë një fushatë të re ushtarake kundër Iranit në javët e ardhshme. Zyrtarët e kanë përshkruar një operacion të mundshëm si “të shkurtër, por intensiv”.
Përpjekjet diplomatike vijnë pavarësisht deklaratave të fundit të Trumpit se administrata e tij nuk po zhvillon negociata me Iranin dhe paralajmërimeve të përsëritura se veprime të reja ushtarake mund të ndërmerren së shpejti.
Sipas The Wall Street Journal, letra dhe kontaktet pasuese mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë janë përqendruar në krijimin e një kornize për negociatat e mundshme, e jo në hartimin e një marrëveshjeje të detajuar paqeje.
Ndërkaq, portali amerikan Axios raportoi veçmas se Vance kishte theksuar në letër se çdo negociatë që synon parandalimin e sulmeve të reja amerikane duhet të përfshijë edhe programin bërthamor të Iranit.
Një zyrtar amerikan i tha Axios-it se Vance kishte propozuar dërgimin e letrës dhe se Trumpi e kishte mirëpritur nismën, por nuk pranoi të tregonte se kur ishte dorëzuar ajo, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, Trumpi dha një version tjetër të ngjarjes të mërkurën, duke mohuar se i kishte kërkuar Vanceit të ndiqte negociatat e paqes me Iranin. Presidenti amerikan tha se kontakti kishte për qëllim kryesisht lehtësimin e dërgimit të furnizimeve mjekësore.
“Ata kanë nevojë për ndihmë me furnizime mjekësore dhe gjëra të ndryshme”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Vance kishte kërkuar miratimin e tij përpara se të vazhdonte.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, shkroi të mërkurën në platformën X se Irani vazhdon t’i japë një mundësi diplomacisë, ndonëse forcat e tij të armatosura janë të përgatitura për të mbrojtur vendin.
“Ndërsa forcat tona të guximshme të armatosura janë plotësisht të gatshme për të mbrojtur atdheun, Irani ende po i jep diplomacisë mundësinë të ketë sukses”, deklaroi Araghchi.
Ai shtoi se Teherani vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me ndërmjetësit, për të shqyrtuar propozime që do të garantonin zbatimin e planit shtatëditor të Iranit, madje edhe brenda një periudhe më të shkurtër se një javë.
Sipas The Wall Street Journal, Uashingtoni u ka kërkuar disa vendeve arabe të Gjirit Persik të përgatiten për mundësinë e një fushate të re ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.
Megjithatë, sipas personave të informuar për diskutimet, Trumpi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të autorizojë sulme të tjera.
Konflikti, i cili nisi në fund të shkurtit me sulme amerikane dhe izraelite, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në transportin e energjisë nga vendet e Gjirit. Kufizimet në lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit kanë ndikuar gjithashtu në ekonominë më të gjerë, duke rritur pasigurinë për furnizimet globale me energji.
Përpjekjet e fundit diplomatike zhvillohen në një kohë kur mbetet e paqartë nëse Uashingtoni dhe Teherani do të arrijnë të gjejnë një kompromis për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak. /Telegrafi/







































