Thursday / October 29 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Biznesi në bllok, kundër qeverisë për paketën fiskale: rrezikohen investimet dhe vendet e punës

Share Share Icon

Si asnjëherë tjetër, një valë e pazakontë kundërshtimesh nga të gjitha segmentet kryesore të sipërmarrjes ka shoqëruar propozimet e qeverisë për Paketën Fiskale 2027.

Brenda pak ditësh, tetë organizata përfaqësuese të biznesit kanë dalë publikisht kundër masave të reja, duke paralajmëruar largim të investitorëve, zhvendosje të aktiviteteve drejt vendeve të rajonit, mbyllje kompanish, humbje të vendeve të punës dhe rritje të çmimeve.

Veçanërisht domethënëse është përfshirja në kundërshtime e organizatave që përfaqësojnë investitorët e huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) dhe Confindustria Albania, që përfaqëson industrialistët italianë, kanë paralajmëruar se rritja e taksave dhe ndryshimet e papritura të politikës fiskale mund të dekurajojnë investimet e reja dhe të cenojnë besimin e investitorëve ekzistues.

Dhoma Amerikane paralajmëron se ndryshimet mund t’i bëjnë investitorët e huaj të mos e konsiderojnë më Shqipërinë si destinacion për bizneset e tyre. Shoqata e Investitorëve të Huaj vëren se pasiguria fiskale ndikon drejtpërdrejt në vendimet afatgjata të investimeve, ndërsa industrialistët italianë kërkojnë tërheqjen e propozimeve që rrisin barrën tatimore.

Nga ana tjetër, shoqatat e prodhuesve dhe eksportuesve paralajmërojnë se industria po humbet tregje dhe vende pune, ndërkohë që qeveria propozon kosto shtesë. Turizmi ngre alarmin për humbjen e konkurrueshmërisë në rajon, ndërsa profesionistët e lirë kundërshtojnë zgjerimin e detyrimeve tatimore dhe administrative.

Në qendër të reagimeve kanë qenë propozimet për rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, të TVSH-së standarde nga 20% në 21%, të TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, si dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Pas reagimeve të forta, qeveria është tërhequr nga propozimi për rritjen e tatimit mbi fitimin, duke e lënë normën në 15%. Megjithatë, propozimet e tjera për rritjen e barrës fiskale kanë vijuar të kundërshtohen nga organizatat e biznesit. Një shqetësim i përbashkët është edhe mungesa e konsultimeve të mjaftueshme dhe e analizave të ndikimit ekonomik.

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Rritja e taksave mund të dekurajojë investitorët e huaj

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka paralajmëruar në deklaratën e saj zyrtare se Paketa Fiskale 2027 mund të sjellë rritje të konsiderueshme të barrës tatimore, duke ndryshuar kushtet mbi të cilat bizneset kanë planifikuar aktivitetin, financimin dhe investimet.

Sipas AmCham, rritja e tatimit mbi dividendin dhe e TVSH-së mund të pakësojë fondet për riinvestime, të ulë kthimin nga kapitali dhe të ndikojë negativisht në punësim dhe zgjerimin e kompanive. Organizata paralajmëron se masat mund të dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe të dekurajojnë investitorët e huaj. Dhoma Amerikane kërkon rishikimin e paketës, analiza të plota ekonomike dhe përparësi për luftën kundër informalitetit, në vend të rritjes së normave tatimore.

Edhe Dhoma Amerikane kundër paketës fiskale, parashikon rritje të ndjeshme të taksave për bizneset

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA): Ndryshimet e papritura ndikojnë në vendimet e investimeve

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) paralajmëron se ndryshimet e papritura të taksave dhe mungesa e parashikueshmërisë fiskale mund të ndikojnë në vendimet e investitorëve dhe të minojnë besimin në perspektivën ekonomike të Shqipërisë.

FIAA shpreh shqetësim për përshpejtimin e masave, pa konsultim të mjaftueshëm dhe pa kohën e nevojshme që kompanitë të përshtatin planet financiare. Shoqata kërkon rishqyrtimin e propozimeve, analiza të ndikimit dhe periudha tranzitore, duke theksuar se stabiliteti dhe transparenca e sistemit tatimor janë kushte thelbësore për investimet afatgjata.

Investitorët e huaj kundër paketës 2027, ndryshimet e papritura ndikojnë në vendimet e investimeve

Confindustria Albania: Rritja e taksave rrezikon investimet, kërkohet tërheqja e propozimeve

Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, Confindustria Albania, ka kërkuar tërheqjen e propozimeve për rritjen e tatimit mbi fitimin, dividendin dhe TVSH-në standarde.

Organizata ka kritikuar ndryshimin e papritur të politikës fiskale, duke kujtuar angazhimin e qeverisë për të mbajtur të pandryshuar tatimin mbi fitimin në 15%. Sipas saj, rritja e taksave mund të ndikojë në planet e investimeve, kontratat dhe punësimin, duke i orientuar sipërmarrjet drejt tregjeve më konkurruese. Confindustria kërkon gjithashtu transparencë për nevojën e rritjes së taksave, në kushtet kur buxheti rezulton me suficit dhe investimet publike nuk janë realizuar plotësisht.

Shoqata e Industrialistëve Italianë kundër rritjes së taksave, kërkon tërheqjen e propozimeve

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA): Rritja e TVSH-së godet konkurrueshmërinë

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) kundërshton rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, duke paralajmëruar se masa do të dëmtojë konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar përballë vendeve të rajonit.

Sipas ATA-s, bizneset turistike po përballen tashmë me zhvlerësimin e euros, rritjen e pagave dhe shtrenjtimin e lëndëve të para. Rritja e TVSH-së do të shtonte presionin mbi kostot dhe çmimet, duke rrezikuar pozicionin konkurrues të Shqipërisë. Shoqata kërkon tërheqjen e propozimit dhe përqendrimin e masave te lufta kundër informalitetit në akomodim.

ATA: Propozimi për rritjen e TVSH-së në akomodim godet drejtpërdrejt konkurrueshmërinë e turizmit

Shoqata Manifaktura Shqiptare: Kompanitë po mbyllen, paketa shpërfill nevojat e prodhimit

Shoqata Manifaktura Shqiptare ka kundërshtuar propozimet fiskale, duke paralajmëruar se industria prodhuese ndodhet në një situatë të rënduar, me rënie dyshifrore të eksporteve dhe mbyllje të kompanive.

Sipas shoqatës, qeveria nuk ka reflektuar kërkesat për uljen e kostove të punësimit, mbështetjen e fitimit të riinvestuar dhe nxitjen e automatizimit. Në vend të lehtësimeve për sektorin, paketa parashikon rritje të barrës fiskale, duke rrezikuar përkeqësimin e situatës së prodhuesve dhe humbjen e mëtejshme të konkurrueshmërisë.

Shoqata Manifaktura Shqiptare, kundër paketës fiskale: Shpërfill nevojat e prodhimit

ProEksport Albania: Industria po humbet vende pune, qeveria propozon taksa më të larta

Shoqata ProEksport Albania, që përfaqëson industrinë e veshjeve dhe këpucëve, paralajmëron se rritja e taksave do të rëndojë më tej një sektor që prej disa vitesh po përballet me tkurrje të prodhimit dhe humbje të vendeve të punës.

Sipas shoqatës, zhvlerësimi i euros dhe rritja e kostove kanë dobësuar konkurrueshmërinë e industrisë. ProEksport kritikon edhe faktin që lehtësimet e propozuara për tatimin mbi pagat nuk prekin punonjësit me paga minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punësimit. Shoqata kërkon konsultime dhe masa mbështetëse për prodhimin dhe eksportet.

ProEksport Albania: Industria po humbet vende pune, qeveria propozon taksa më të larta!

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë: Rrezikohen investimet dhe modernizimi i industrisë

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet fiskale pa konsultim paraprak, duke paralajmëruar rritje të kostove dhe pakësim të fondeve që kompanitë kanë në dispozicion për investime.

Sipas vlerësimeve paraprake të shoqatës për paketën fillestare, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin do t’u kushtonte sipërmarrjeve rreth 85 milionë euro në vit. Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH do të përfshinte rreth 17,500 tatimpagues të rinj, duke shtuar kostot administrative dhe nevojat për likuiditet. Shoqata kërkon analiza të ndikimit dhe konsultim real përpara miratimit të ndryshimeve.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet fiskale pa konsultim me biznesin

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL): Rriten kostot, dobësohet konkurrueshmëria

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) paralajmëron se Paketa Fiskale 2027 rrezikon të rrisë barrën tatimore dhe kostot administrative për bizneset, pa garantuar përmirësim të formalizimit.

Organizata kundërshton veçanërisht uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë, që do të shtonte detyrimet për bizneset e vogla. APL ngre shqetësimin se rritja e taksave mbi fitimin, dividendin dhe konsumin mund të dobësojë konkurrueshmërinë dhe të ndikojë në çmime. Shoqata kërkon që qeveria të analizojë eficiencën e shpenzimeve publike dhe mundësitë për zgjerimin e bazës tatimore përpara rritjes së normave.

 

Edhe APL kundër paketës fiskale: Rrit kostot, ul konkurrueshmërinë e bizneseve

Shoqata e Biznesit Grek (HBAA): Rritja e taksave rrezikon investimet e huaja në Shqipëri

Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) ka paralajmëruar se rritja e njëkohshme e taksave mund të cenojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion investimesh, duke ndikuar në tërheqjen e kapitalit të ri, zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese dhe riinvestimin e fitimeve, përfshirë ato të komunitetit të biznesit grek.

Sipas HBAA, ndryshimet e propozuara në tatimin mbi fitimin, dividendin dhe TVSH-në rrezikojnë të ulin përfitueshmërinë e bizneseve dhe të ndryshojnë kushtet mbi të cilat investitorët kanë marrë vendimet e tyre financiare. Shoqata thekson se stabiliteti dhe parashikueshmëria e politikës fiskale janë thelbësore për investimet afatgjata.

HBAA kërkon një studim të posaçëm mbi ndikimin e paketës te investimet e huaja, një periudhë të mjaftueshme tranzitore, konsultim të strukturuar me investitorët dhe garantimin e një kuadri fiskal të qëndrueshëm, që të mos cenojë investimet ekzistuese dhe të ardhshme.

Edhe bizneset greke kundër paketës fiskale: Rritja e taksave rrezikon investimet në Shqipëri

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Edhe bizneset greke kundër paketës fiskale: Rritja e taksave rrezikon investimet në Shqipëri

Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) ka paralajmëruar se rritja e njëkohshme e disa taksave të parashikuara në Paketën Fiskale 2027 mund të d...

1 hour më parë 4 Min Lexim

Si ndahet torta 2,2 mld euro e investimeve, arsimi dhe shëndetësia marrin vetëm 5%

Shpenzimet kapitale në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen të arrijnë në 201.5 miliardë lekë, nga 176.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një r...

3 hours më parë 10 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!