Policia e Shkodrës zbuloi dhe goditi një grup kriminal që merrej me prodhimin dhe transportin e sasive të mëdha të narkotikëve brenda dhe jashtë vendit. Operacioni u zhvillua në zonën e Malësisë së Madhe, ku shërbimet e Policisë ndërhynë në lagjen “Guraj” dhe ndaluan një automjet tip “Volkswagen Passat” që drejtohej nga 25-vjeçari Elsid Ramci. Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesat e dy vëllezërve, Bujar dhe Naim Kukaj, u gjetën dhe sekuestruan 265.4 kilogramë kanabis, të ndarë dhe të paketuar për t’u shitur e trafikuar.
Në pranga përfunduan Admir Selgjekaj, 38 vjeç; Elsid Ramci, 25 vjeç; si dhe vëllezërit Bujar Kukaj, 56 vjeç, dhe Naim Kukaj, 52 vjeç. Për Bujar Kukajn rëndon gjithashtu dyshimi për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, pasi gjatë kontrolleve u zbuluan edhe dy mina.
Nga hetimet, Policia dyshon se anëtarët e familjes Kukaj merreshin me magazinimin dhe paketimin e drogës. Ndërsa Admir Selgjekaj, Elsid Ramci dhe Anarldo Mulleti dyshohen se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë vendit. Për Esat Kukajn, 58 vjeç, Denjan Kukajn, 23 vjeç, dhe Anarldo Mulletin, 39 vjeç, është bërë shpallja në kërkim.
Policia po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për finalizimin e procedimeve hetimore lidhur me grupin kriminal, sasinë e sekuestruar dhe dyshimet për aktivitetet e tyre të dyshuara në magazinim, paketim, transport dhe shitje të drogës.

