Vrasja e Arlinda Zekajt në Kosovë ka sjellë pezullimin nga detyra të 13 zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë. Këtë të enjte. Policia e Kosovës njoftoi pezullimin e 11 punonjësve të saj, ndërsa Këshilli Prokurorial pezulloi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren që trajtonte çështjen, Arlinda Nallbani Gacaferi.
Mes të pezulluarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, drejtues të tjerë të strukturave policore, si dhe katër hetues të këtij stacioni.
Kishte kërkuar mbrojtje, por u vra pak minuta pasi policia e shoqëroi në banesë
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesën ku kishte jetuar me bashkëshortin, nga i cili ishte ndarë.
Gruaja kishte denoncuar vazhdimisht dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti. Që në dhjetor të vitit të kaluar, ajo kishte njoftuar autoritetet se ai e kishte kërcënuar me jetë.
Gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje, duke i ndaluar bashkëshortit t'i afrohej, ndërsa kujdestaria e përkohshme e fëmijës së mitur i ishte dhënë Zekajt. Ajo kishte gjithashtu të drejtën të qëndronte në banesën e përbashkët.
Vetëm dy ditë para vrasjes, Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, ku ankohej për mënyrën se si po trajtohej çështja e saj dhe për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Ditën e vrasjes, më 25 tetor, ajo kishte bërë një tjetër denoncim për dhunë në familje. Bashkëshorti u ndalua për 48 orë, ndërsa Zekaj kërkoi të kthehej në banesën e përbashkët.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t'i rrezikonte jetën dhe e kishte këshilluar të qëndronte te vëllezërit, derisa kthimi të organizohej me shoqërim policor.
Edhe pse kishte pranuar se siguria e saj mbetej e cenuar për shkak të pranisë së familjarëve të bashkëshortit në banesë, Zekaj kishte këmbëngulur të kthehej në shtëpi, në përputhje me vendimin e gjykatës.
Pak minuta pasi policia e shoqëroi në banesë, ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.
I dyshuari u largua nga vendngjarja, por u arrestua në Deçan më 27 tetor. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit për një muaj.
Kurti kërkon raport, nisin hetimet për përgjegjësitë institucionale
Vrasja e Arlinda Zekajt, gruas së tetë të vrarë gjatë këtij viti në Kosovë, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimet e saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar një raport nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ka deklaruar se në rastin e Zekajt ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar vendimin e Këshillit Prokurorial si një hap kundër pandëshkueshmërisë.
“Ky vendim është llogaridhënie, është mesazh ndaj secilit se jeta e njeriut është e shenjtë, të drejtat e grave nuk janë dekor, pozita zyrtare nuk janë privilegj, por duhet të jetë shërbim, përkushtim dhe përgjegjësi”, shkroi ai në Facebook.
Hetimet ndaj zyrtarëve të pezulluar vijojnë për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje apo mangësi në trajtimin e denoncimeve dhe kërkesave për mbrojtje të Arlinda Zekajt.








Komente
Komento