Televizioni Dukagjini ka mësuar se Inspektorati Policor i Kosovës pritet të suspendojë 11 zyrtarë policorë në kuadër të veprimeve që po ndërmerren lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor.
Dukagjini mëson se në mesin e zyrtarëve që pritet të suspendohen është edhe togeri Faruk Muqolli, ndërsa masa e suspendimit pritet ta prekë edhe drejtorin rajonal të Policisë.
Mbrëmjen e së mërkurës u publikuan disa audioincizime në të cilat dëgjohet Arlinda Zekaj duke iu lutur togerit Muqolli që të zbatohet urdhri mbrojtës ndaj ish-bashkëshortit të saj.
Suspendimet e pritet të vijnë pas nisjes së veprimeve hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi raportimet e Zekajt, e cila kishte ngritur shqetësime për sigurinë e saj, njofton Dukagjini.
Siç kishte bërë të ditur më herët IPK-ja për Dukagjinin, veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe synojnë verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë.
Dukagjini ka kontaktuar gjatë ditës edhe togerin Faruk Muqolli pas publikimit të audioincizimeve, për ta pyetur lidhur me rastin dhe përgjegjësinë e tij.
Muqolli kishte thënë se ishte “shumë i zënë me punë”, ndërsa, kur u pyet nëse ndiente përgjegjësi për rastin, deklaroi se nuk kishte kohë të prononcohej për media dhe e drejtoi gazetaren te Zyra për Media e Policisë së Kosovës. “Je duke më pengu”, i tha ai gazetares gjatë bisedës telefonike.
EKSKLUZIVE – Togeri Muqolli përgjigjet: Jeni tu m’pengu, jam i nxanë me punë
