Ministria e Drejtësisë ka reaguar për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, duke deklaruar se lëvizja është kryer në përputhje me procedurat ligjore dhe në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në institucionet penitenciare.
Ministria sqaron se urdhri i transferimit është klasifikuar si “sekret shtetëror”, ndaj dokumenti nuk mund të vihet në dispozicion pa respektuar rregullat për informacionin e klasifikuar.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Drejtësisë thekson se pas mbërritjes në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, në përputhje me ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve.
Sipas institucionit, më 28 tetor 2026, Veliaj është vendosur në seksionin e pranimit dhe observimit. Një ditë më pas, më 29 tetor, strukturat përgjegjëse kanë zhvilluar një takim me të, gjatë të cilit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë qëndrimit në institucion. Pas kësaj procedure, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij, bazuar në vlerësimin individual dhe rregullat përkatëse.
Ministria i është përgjigjur edhe debatit publik mbi arsyet e transferimit, duke theksuar se urdhri është miratuar sipas procedurave standarde. Megjithatë, dokumenti bën pjesë në listën e akteve të klasifikuara si sekret shtetëror, ndaj administrimi dhe vënia e tij në dispozicion i nënshtrohen kritereve të përcaktuara në legjislacionin për informacionin e klasifikuar.
“Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara ‘sekret shtetëror’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Institucioni bën të ditur gjithashtu se për transferimin e Veliajt është njoftuar edhe organi i prokurorisë, në përputhje me kërkesat ligjore.
Sipas Ministrisë, kompetenca për nxjerrjen e urdhrave të transferimit për arsye të përligjura i takon Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i cili merr vendimin mbi bazën e dokumentacionit të administruar dhe brenda kritereve ligjore.
Për të argumentuar se transferimet janë pjesë e praktikës së zakonshme administrative, Ministria citon të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas të cilave, nga 16 deri më 27 tetor 2026, janë kryer gjithsej 24 transferime në përputhje me kuadrin ligjor.
Në përfundim, Ministria e Drejtësisë thekson se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masa për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.
Reagimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues politikë dhe raportimeve mediatike lidhur me transferimin e Veliajt dhe kushtet e qëndrimit të tij në paraburgimin e Fierit.
Reagimi i plotë:
Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.
Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në vijim të transferimit e të paraburgosurit E. V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, më datë 28.10.2026 i paraburgosuri E.V u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor si për të gjitha rastet e tjera.
Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Në mbështetje të nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të neneve 106–108 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar.
Nga DPB prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026 janë kryer 24 (njëzet e katër) transferime brenda kuadrit ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.
