Një diagnozë që ia ndryshoi jetën dhe një moment që nuk do ta harrojë kurrë. Saranda Jakupi, e cila prej më shumë se gjashtë vjetësh po përballet me kancerin e gjirit, ka rrëfyer emocionet dhe tronditjen që përjetoi kur mjeku i komunikoi se ishte diagnostikuar me këtë sëmundje.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit "Kubati", Jakupi ka treguar se gjithçka nisi me disa shqetësime në gji, të cilat fillimisht nuk i kishte konsideruar si shenja të një sëmundjeje serioze.




Pas ekzaminimeve mjekësore dhe biopsisë, ajo u përball me lajmin që do t'ia ndryshonte rrjedhën e jetës.

Saranda kujton se në momentin kur hyri në ordinancë për të marrë rezultatet, nuk kishte njohuri të mjaftueshme për sëmundjen dhe nuk e priste një diagnozë të tillë.

Ajo tregon se mjeku, pasi lexoi rezultatet, i shpjegoi se gjendja kërkonte ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale.

“Sa më shpejt duhet të hysh në operim”, kujton Jakupi t'i ketë thënë mjeku.

Megjithatë, momenti më i vështirë për të ishte kur dëgjoi drejtpërdrejt diagnozën.

“Ti je diagnostikuar me karcinomë të gjirit, kancer”, rrëfen ajo fjalët që ia komunikoi mjeku.

Saranda pranon se reagimi i saj i parë ishte mospranimi i realitetit me të cilin po përballej.

“Nuk dojsha me i pranu ato. M'u duk që m'u shemb krejt ajo ndërtesë”, shprehet ajo, duke përshkruar tronditjen emocionale që përjetoi.

Për të, diagnoza nuk nënkuptonte vetëm fillimin e një trajtimi të vështirë mjekësor, por edhe përballjen me frikën, pasigurinë dhe shqetësimin për familjen.

Nga ai moment, jeta e saj mori një drejtim tjetër, me ndërhyrje kirurgjikale, trajtime onkologjike dhe sfida të vazhdueshme fizike e emocionale.

Gjatë intervistës, Jakupi ka treguar se deri më tani i është nënshtruar nëntë operimeve, ndërsa vazhdon të marrë trajtim për sëmundjen.

Intervistën e plotë me Saranda Jakupin mund ta ndiqni në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, në platformat e Telegrafit.

- YouTube www.youtube.com