Dëmet e bizneseve nga protestat arrijnë në 3.37 milionë euro, 110 aplikime te Tatimet

Dëmet e deklaruara nga bizneset e prekura gjatë protestave kanë arritur në 3.37 milionë euro, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Deri tani, përmes shërbimit “Dëmi im” në portalin e-Albania janë regjistruar 110 aplikime nga biznese që kanë raportuar dëme të shkaktuara në njësitë e tyre tregtare.
Administrata Tatimore bën të ditur se procesi i evidentimit, dokumentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, ndërsa u ka bërë thirrje bizneseve të prekura që të raportojnë çdo dëmtim përmes shërbimit të dedikuar online.
Sipas Tatimeve, shërbimi “Dëmi im” u mundëson subjekteve të paraqesin informacionin mbi dëmet e pësuara, me qëllim dokumentimin dhe vlerësimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.
Vlera prej 3.37 milionë eurosh përfaqëson shumën e dëmeve të deklaruara deri tani nga bizneset dhe jo domosdoshmërisht vlerën përfundimtare të verifikuar nga administrata.
Dëmet janë shkaktuar gjatë protestave të studentëve, të cilat janë shoqëruar edhe me dëmtime materiale në një pjesë të njësive tregtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









