Vendosni fjalën kyçe....

Hoxha takon ambasadoren kanadeze, në fokus zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe krijimi i Bankës për Mbrojtjen


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Golberg, ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë takimit, Hoxha e cilësoi Kanadanë një vend mik, aleat të Shqipërisë në NATO dhe partner të besuar. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin kanadez në konsolidimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Të dyja palët vlerësuan zgjerimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë gjatë viteve të fundit, duke evidentuar mundësitë për bashkëpunim më të madh në turizëm, tregti, ekonomi dhe forcimin e lidhjeve mes qytetarëve të dy vendeve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e Bankës për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë. Ky mekanizëm financiar shumëpalësh synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim strategjik.

Takimi vjen në kuadër të angazhimeve për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë, me synimin për t’i kthyer lidhjet politike dhe partneritetin mes dy vendeve në bashkëpunim më konkret ekonomik dhe institucional.