Akti normativ i Qeverisë/ Hyjnë në fuqi masat anti-dhunë, policia vendos “kushtet” e protestës, gjoba deri në 500 mijë lekë për tubuesit me maska, “listë e zezë” për udhëtimet në Europë

Kanë hyrë në fuqi masat e reja të paketës kundër dhunës, të prezantuar disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, të cilat parashikojnë ashpërsim të gjobave për shkeljet gjatë tubimeve, kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale të dhunshme gjatë protestave.
Sipas ndryshimeve në ligjin për tubimet, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar dhe fshehja e paligjshme e identitetit dënohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Për mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit, gjoba mund të arrijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa në rastet kur personi është i maskuar, masa financiare shkon nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Ndërkohë, personat që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve gjatë tubimeve do të gjobiten me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi. Gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.
360grade.al


















