Tirana dhe Dinamo kanë barazuar 1-1 në derbin e luajtur në Durrës, në një ndeshje të karakterizuar nga tensioni, polemikat dhe vendimet e diskutueshme të gjyqtarit Jorgji. Përveç dy golave, sfida prodhoi dy kartonë të kuq, protesta të shumta dhe një gol të anuluar në minutat e fundit.
Takimi nisi me ritëm dhe me pretendime nga të dyja skuadrat. Dinamo arriti të dërgonte topin në rrjetë që në minutën e 6-të me anë të Ruçit, por goli u anulua për faull të Rifës, vendim që u konfirmua edhe nga VAR-i. Tirana u përgjigj me Hazrollajn, i cili në minutën e 7-të nuk arriti të shfrytëzonte siç duhet një mundësi të mirë shënimi.
Momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes erdhi në minutën e 26-të. Rifa u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Jorgji, duke lënë Dinamon me një lojtar më pak. Vendimi shkaktoi protesta të forta nga blutë, të cilët pretenduan se lojtari i tyre nuk e kishte prekur Alvarezin. Tensioni u rrit edhe më shumë në stolin e Dinamos, ku me karton të kuq u ndëshkua përgatitësi atletik Mark Dodaj, ndërsa trajneri Ilir Daja mori karton të verdhë.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Dinamo arriti të rezistonte deri në pushim, ndërsa Tirana nuk gjeti hapësirat e duhura për të kaluar në avantazh.
Në pjesën e dytë, bardheblutë shtuan presionin dhe në minutën e 64-t gjetën golin me Redon Xhixhën, i cili dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0. Dinamo kërkoi më pas një penallti pas rrëzimit të Vilës në zonë, por Jorgji lejoi vazhdimin e lojës.
Barazimi erdhi në minutën e 78-të. Hoxhallari goditi drejt portës dhe topi u devijua nga Ndong, duke përfunduar në rrjetë për rezultatin 1-1. Një episod që mund të kishte sjellë edhe penallti për Dinamon, nëse topi nuk do të përfundonte në gol.
Në minutën e 88-të, Tirana festoi sërish, por goli i Dacit u anulua për faull ndaj Alijit. Drama nuk përfundoi këtu, pasi në minutën e 90+4-t Ndong u ndëshkua me karton të kuq për një goditje me bërryl ndaj Malomos.
Pas pesë minutave shtesë, derbi u mbyll në barazim 1-1. Një pikë për secilën skuadër, por me shumë episode të diskutueshme që pritet të mbeten në qendër të debatit edhe pas përfundimit të ndeshjes.
© SYRI.net
Zyrtare, Pulisic rinovon me Milanin deri në vitin 2031
Ilir Daja shpërthen pas derbit: Nuk dua të dal nga vetja, por me këtë arbitër nuk është e drejtë!
Klafuriç i pakënaqur pas barazimit me Dinamon: Nuk luajtëm mirë, kritikat nga studio janë më të lehtaBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: