“S’duam suspendime, duam burgosje”: Çfarë ndodhi në ditën e dytë të protestës për Arlinda Zekajn?

E plotësuar: Në ditën e dytë të protestës për drejtësi për Arlinda Zekajn, gruan e vrarë pak ditë më parë në Pejë, protestuesit kanë marshuar drejt institucioneve të vendit, duke kërkuar shkarkime, ndjekje penale dhe burgosje të personave që, sipas tyre, kanë dështuar në trajtimin e rastit të saj.
Para objektit të Qeverisë së Kosovës, njëra nga organizatoret e protestës, Anitë Nikaj, ka paraqitur kërkesat e protestuesve, të cilat përfshijnë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit, Suada Ramza-Hamzaj, gjykatësit Migjen Kastrati, zyrtarit të gjykatës Shemsedin Haxhijaj dhe ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Shpresa Lungaj.
Po ashtu, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Nikaj ka theksuar se protestuesit nuk janë të kënaqur vetëm me suspendimet e zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit, por kërkojnë përgjegjësi më të thellë institucionale.
“Kërkesat tona janë të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, ka deklaruar ajo.
Gjatë protestës, njëra nga protestueset ka kritikuar ashpër Policinë e Kosovës, duke pretenduar se institucionet policore i anashkalojnë dhe i nënvlerësojnë gratë që raportojnë dhunë, në vend që t'u ofrojnë mbrojtje.
Ajo ka përmendur rastin e Arlinda Zekajt dhe veprimet e policit Faruk Muqolli, duke thënë se ai ishte lodhur nga këmbëngulja e saj për të kërkuar siguri dhe drejtësi.
“Sot, është detyrë e jona që të sigurohemi se policia jep përgjegjësi. Sot e çdo ditë tjetër nuk lejojmë që policia të shitet si institucion sigurie për gratë e t’i ndihmojë dhunës ndaj tyre”, ka thënë protestuesja.
Ajo ka shtuar se, sipas saj, rasti nuk duhet të trajtohet si dështim i një zyrtari të vetëm, por si shenjë e problemeve më të thella në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes së grave.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është marrë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili po zhvillon hetim paraprak për veprimet dhe mosveprimet e tyre.
Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit. Në mbledhjen e mbajtur sot, KPK-ja ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi, ndërsa ndaj tyre ka hapur procedurë hetimore.
Protesta e ditës së dytë është karakterizuar nga kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe ndëshkim të personave që protestuesit i konsiderojnë përgjegjës për dështimet në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

“Nuk mjaftojnë suspendimet” - Protestuesit hedhin tymues para Ministrisë së Drejtësisë, kërkojnë dorëheqjen e Gërvallës dhe burgosjen e Muqollit
E plotësuar: Protestuesit, pas marshimit drejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë nisur edhe drejt Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke kërkuar shkarkime dhe ndjekje penale të personave që, sipas tyre, kanë dështuar të veprojnë në rastin e Arlinda Zekajt.
“Nuk po kërkojmë suspendime, po kërkojmë shkarkime dhe ndjekje penale”, është thënë në thirrjet e protestuesve.
Gjatë protestës, ata kanë lëshuar me zë të lartë audio-incizimin në të cilin dëgjohet Arlinda Zekaj duke biseduar me zyrtarë policorë në Pejë.
Protestuesit i janë drejtuar edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke kërkuar ndjekjen penale të Faruk Muqollit, shefit të hetimeve të Policisë në Pejë dhe njërit prej 11 zyrtarëve policorë të suspenduar në lidhje me rastin.
“Ministër Sveçla, shkarkoje Farukun e dërgoje në burg, ndjeke penalisht, nashta në burg nuk lodhet”, kanë thirrur protestuesit.
Ndërkaq, para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, protestuesit kanë kërkuar burgosjen e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe të prokurores që ka trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.

Protesta kundër vrasjes së grave vazhdon për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke kërkuar masa konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekja penale e personave që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Liridona Sijarina, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Protesta e sotme vjen një ditë pas protestës së parë, të organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj.
Ndërkohë, institucionet kanë ndërmarrë masa lidhur me trajtimin e rastit. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ndaj tyre është iniciuar edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për të shqyrtuar mënyrën e trajtimit të rastit.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e mundshme gjatë trajtimit të raportimeve të Arlinda Zekajt.
Protestuesit kërkojnë që përgjegjësia institucionale të mos mbetet vetëm në masa administrative, por të hetohen plotësisht të gjitha veprimet dhe mosveprimet që mund të kenë ndikuar në trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje./Telegrafi.















































