Për të dytën ditë radhazi, qytetarët u mblodhën në protestë kundër vrasjes së grave dhe neglizhencës institucionale, pas rastit të Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar drejtësi dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave.

Në mesin e protestuesve është parë edhe kreatori i njohur i modës, Valdrin Sahiti, i cili iu bashkua qytetarëve në këtë tubim.


Krahas tij, në protestë janë vërejtur edhe shumë figura të tjera publike, të cilat iu bashkuan thirrjeve për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Foto: Screenshot/IndeksOnline

Protesta u shoqërua me mesazhe të fuqishme, përmes të cilave qytetarët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës se si institucionet po trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.

“Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë tubimit, duke përcjellë kërkesën për reagim dhe llogaridhënie.

Foto: Screenshot/IndeksOnline

Pjesëmarrësit kërkuan që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar raste të tjera të tilla dhe për të garantuar sigurinë e grave, në vend që të mjaftohen vetëm me reagime pas tragjedive.

Protestuesit paralajmëruan se tubimet do të vazhdojnë derisa kërkesat e tyre të adresohen, duke kërkuar që drejtësia dhe siguria e grave të mos mbeten vetëm premtime, por të shoqërohen me veprime konkrete. /Telegrafi/

Foto: Screenshot/IndeksOnline