Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës i janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, duke kërkuar informacion mbi arsyet e transferimit të kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
Në shkresën drejtuar institucioneve, këshilltarët kërkojnë transparencë mbi bazën ligjore të këtij vendimi, garantimin e kushteve të qëndrimit sipas standardeve ligjore dhe europiane, si dhe verifikimin e çdo kufizimi që mund të jetë i pajustifikuar.
Një nga shqetësimet e ngritura lidhet me faktin se transferimi në Fier e largon edhe më shumë Veliajn nga selia e Bashkisë së Tiranës, institucionin që ai drejton.
Sipas anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pavarësisht statusit të tij në paraburgim, mandati i Veliajt nuk është ndërprerë. Për këtë arsye, ata kërkojnë që të sqarohet nëse transferimi ndikon në ushtrimin e kompetencave të tij dhe në funksionimin e institucionit bashkiak, në përputhje me ligjin.
Kërkesa synon të marrë përgjigje zyrtare nga institucionet përgjegjëse për arsyet e transferimit dhe për mënyrën se si janë garantuar të drejtat e kryebashkiakut gjatë qëndrimit në burgun e Fierit.




