Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndryshoi institucionin e vuajtjes së paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e transferuar nga IEVP Durrës në IEVP Fier. Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta dhe u diskutua në emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, shpjegoi edhe prapaskenat brenda Partisë Socialiste lidhur me këtë lëvizje.
Ndreca tha se ka pasur deputetë të tjerë të PS që i kanë kërkuar informacion rreth rastit dhe se reagimi nuk ka qenë i izoluar. Ai theksoi se nuk i përket të deklarojë gjithçka, por sipas informacionit që disponon, shqetësimi është shprehur edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Ndreca përmendi se nuk ishte vetë i pranishëm në atë mbledhje, por tha se ka pasur shprehje të pakënaqësisë nga anëtarë të ndryshëm, duke shtuar që disa prej tyre e mbështetën këtë pikëpamje.
Avokati deklaroi se më shumë se 7-8 kolegë e kanë kontaktuar telefonikisht në një gjendje shqetësimi dhe mërzie, duke pyetur pse u mor një vendim i tillë dhe pse u arrit në këtë pikë. Ai vuri në dukje se pjesa thelbësore e shqetësimit lidhet me barazinë e trajtimit: kur i bëhet kryetarit të bashkisë në detyrë një lloj trajtimi, çfarë mund t’i ndodhë një qytetari tjetër pa vizibilitet publik. Ndreca nënvizoi se standardi duhet të jetë i njëjtë për çdo qytetar të Shqipërisë dhe se nuk po kërkohet privilegj për shkak të detyrës së Veliajt.
Sipas avokatit, kërkesa e tyre është që t’i mundësohet kryetarit të bashkisë ushtrimi i detyrës duke e mbajtur afër, pasi kjo bëhet e mundur dhe është detyrim kushtetues. Ai shtoi se e drejta për komunikim dhe qasje është e njëjtë për çdo i paraburgosur, jo vetëm për Veliajn. Ndreca gjithashtu deklaroi se aktualisht janë në “terr të plotë informativ”: që nga ora 16:00 e djeshme ka dërguar një email zyrtar dhe ende nuk ka marrë përgjigje.
