Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton Fondin Kombëtar për Artin, deri në 10% e kursimeve nga tenderat për blerjen e veprave artistike


Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, i cili parashikon që deri në 10% e kursimeve të verifikuara nga prokurimet publike të përdoren për blerjen e veprave të artit dhe koleksioneve me vlerë historike e kulturore.

Veprat e blera do të bëhen pronë e shtetit dhe do të ekspozohen në institucione dhe hapësira publike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ky mekanizëm synon të krijojë një burim të ri financimi për artin, duke përdorur një pjesë të fondeve të kursyera nga tenderat publikë. Sipas tij, skema pritet të sigurojë disa milionë euro në vit për pasurimin e koleksioneve shtetërore.

Financimi do të mbështetet te kursimet e verifikuara dhe të certifikuara nga Ministria e Financave, të cilat rezultojnë të disponueshme për rishpërndarje gjatë vitit buxhetor.

Shuma që do t’i kalojë Fondit Kombëtar për Artin nuk do të tejkalojë 10% të totalit vjetor të këtyre kursimeve dhe do të miratohet përmes ligjit vjetor të buxhetit. Sipas qeverisë, synimi është të mbështetet arti pa krijuar shpenzime të reja buxhetore.

Përveç financimit nga kursimet e prokurimeve publike, fondi do të ketë mundësi të përfitojë edhe donacione, sponsorizime dhe grante nga Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë.

Kush do t’i përzgjedhë veprat e artit?

Projektligji parashikon krijimin e një komisioni me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të kenë përvojë në artet pamore, historinë e artit, muzeologjinë, trashëgiminë kulturore dhe vlerësimin e tregut të artit. Në proces do të përfshihet edhe Galeria Kombëtare e Arteve, e cila do të ofrojë ekspertizë profesionale për vlerësimin, përzgjedhjen, blerjen dhe administrimin e veprave.

Përpara çdo blerjeje do të verifikohen pronësia dhe prejardhja e objekteve. Projektligji përjashton blerjen e veprave me autenticitet të dyshimtë, me prejardhje të paligjshme ose që janë objekt i mosmarrëveshjeve për pronësinë.

Veprat e blera do të regjistrohen në inventarin shtetëror dhe do të vendosen në institucione publike, ku do të ekspozohen për qytetarët. Një nga synimet e fondit është gjithashtu ruajtja brenda vendit e veprave me rëndësi kombëtare dhe rikthimi i tyre në koleksionet publike.

Si do të kontrollohen shpenzimet?

Projektligji parashikon që vendimet e komisionit për blerjen e veprave të artit të dokumentohen, të argumentohen dhe të bëhen publike. Çdo vit do të publikohet lista e veprave të blera, së bashku me vlerat financiare përkatëse.

Administrimi i fondit do t’i nënshtrohet kontrollit të brendshëm financiar dhe auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me qëllim garantimin e transparencës në përdorimin e parave publike.

Sipas ministrit Gonxhja, përveç mbështetjes për artistët, investimi në vepra arti synon të rrisë edhe vlerën e inventarit shtetëror ndër vite.

Projektligji pritet t’i kalojë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Nëse miratohet, zbatimi i tij është parashikuar të nisë në janar të vitit 2027.