Rrëzohet helikopteri i EUFOR-it në Bosnje, raportohet për viktima

Një helikopter ushtarak i misionit të EUFOR-it është rrëzuar në fshatin Gorice, pranë Brçkos, në Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas raportimeve fillestare, helikopteri është shkatërruar plotësisht nga rrëzimi, ndërsa jozyrtarisht raportohet se tre persona kanë humbur jetën.
Nga EUFOR-i kanë konfirmuar se aksidenti ka ndodhur gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, shkruan klix.

Misioni evropian bëri të ditur se nga aksidenti nuk është dëmtuar infrastruktura civile, prona apo automjetet, si dhe nuk ka civilë të lënduar.
“EUFOR-i po zhvillon një hetim të plotë dhe të hollësishëm për incidentin dhe do të publikojë më shumë informacione kur të konstatohen faktet dhe kur të jetë e përshtatshme”, thuhet në njoftimin e misionit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë policia e Distriktit të Brçkos, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë siguruar zonën.
EUFOR-i u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përhapjen e informacioneve të paverifikuara dhe të ndjekin vetëm kanalet zyrtare për zhvillimet e mëtejshme. /Telegrafi/







































