Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile. Hetimet lidhen me masakrën e Padalishtës, të kryer më 26 mars 1999 në komunën e Istogut, ku u vranë 19 anëtarë të familjes Imeraj.
Sipas njoftimit zyrtar, dy të dyshuarit u lokalizuan më 29 tetor. Z.B. u arrestua në fshatin Osjan, ndërsa G.B. në Cerkolez, të dyja në komunën e Istogut. Prokuroria nuk ka bërë të ditura detaje të tjera lidhur me hetimet apo dyshimet konkrete ndaj tyre.
Masakra e Padalishtës ishte një nga ngjarjet tragjike të luftës në Kosovë, ku viktimat e familjes Imeraj ishin të moshave nga dy deri në 76 vjeç.
Arrestimet kanë nxitur reagimin e Listës Serbe, e cila pretendoi se të enjten në mëngjes në Istog ishin arrestuar tre serbë. E pyetur për këtë deklaratë, Prokuroria Speciale iu referua komunikatës së saj zyrtare, ku bëhet fjalë për dy persona të arrestuar.
Në reagimin e saj, Lista Serbe pretendoi se arrestimet “ka shqetësuar të gjithë popullin serb”, duke akuzuar autoritetet e Kosovës se po vazhdojnë arrestimet për krime lufte “pa prova bindëse për fajësinë e tyre”.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të reagojnë dhe të përfshihen në këto procedura. Ata e kanë për detyrë të monitorojnë punën e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë, si dhe të parandalojnë keqpërdorimin e institucioneve me qëllim të përndjekjes të serbëve mbi baza etnike”, thuhet në reagimin e partisë.
Vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hetime dhe kanë ngritur akuza për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë edhe procedura në mungesë. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Nga viti 2000 deri më 2008, hetimet për krimet e luftës në Kosovë u zhvilluan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Pas vitit 2008, përgjegjësinë për këtë fushë e mori Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), i cili në vitin 2018 ia dorëzoi dokumentacionin përkatës Prokurorisë së Kosovës dhe gjykatave vendore.


