Vendosni fjalën kyçe....

Transferimi i Veliajt në Fier, këshilltari bashkiak: Ku është akti zyrtar, presion politik


Transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi në Durrës drejt atij të Fierit është bërë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Këshilltari Aldo Merkoçi kërkoi sqarime nga institucionet përgjegjëse për arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi, duke vënë në dukje mungesën e informacionit zyrtar.

Gjatë fjalës së tij, Merkoçi argumentoi se mungesa e transparencës për një veprim të tillë, në një klimë të tensionuar politike, mund të nxisë dyshime për presion politik. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka dijeni për motivet konkrete të transferimit dhe se institucionet duhet të bëjnë publike arsyet e vendimit, shkruan BW.

“Politikisht kur një veprim i pazakontë dhe i pashpjeguar ndërmerret ndaj një figure politike në një moment politik të ngarkuar dyshimi se po ushtrohet presion politik nuk ka nevojë ta krijojë askush, e krijon vetë heshtja e institucioneve. Unë nuk e di motivin dhe pikërisht sepse askush prej nesh nuk duhet të hamendësojë, institucionet kanë detyrim që ta bëjnë atë të qartë. Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me aftësinë për të arrestuar, hetuar po dënuar, matet me vetëpërmbajtjen me të cilën e ushtron forcën që i është dhënë. Sot nuk kërkoj një privilegj, kërkoj diçka më modeste dhe shumë më të rëndësishme, ligjshmëri të verifikueshme, transparencë të plotë”, deklaroi Merkoçi.

Ai rikujtoi gjithashtu se rreth një vit më parë, Këshilli Bashkiak votoi propozimin për shkarkimin e Veliajt, vendim që, sipas tij, u konsiderua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Merkoçi nënvizoi se Veliaj vijon të jetë kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës dhe se mungesa e tij fizike në detyrë ngre pikëpyetje për funksionimin e institucionit.

Këshilltari bashkiak sqaroi se qëndrimi i tij nuk lidhet me vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së Veliajt, çështje që i takon sistemit gjyqësor, por me respektimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“Dua të jem i qartë që në fillim, nuk jam këtu për të folur për fajësinë apo pafajësinë e Erion Veliajt, për këtë ka gjykatë. Nuk jam këtu as për ta viktimizuar dhe as për t’i kërkuar askujt trajtim të privilegjuar për shkak të postit që mban”, u shpreh ai.

Sipas Merkoçit, Veliaj është transferuar në Fier pa iu komunikuar një dokument zyrtar që të shpjegonte arsyet e këtij veprimi. Ai pretendoi se informacioni i kërkuar nuk i është vënë në dispozicion as avokatit të kryebashkiakut. Gjithashtu, ai iu referua raportimeve se Veliaj është vendosur në një qeli izolimi, duke kërkuar që këto rrethana të verifikohen nga autoritetet kompetente.

“Pyetja ime nuk është pse Fieri, pyetja ime është ku është letra”, theksoi Merkoçi, duke shtuar se kompetenca e administratës së burgjeve për të përcaktuar vendin ku mbahet një i paraburgosur nuk duhet të ushtrohet në mënyrë arbitrare.

Ai ngriti shqetësimin edhe për pasojat që situata mund të ketë në punën e Bashkisë së Tiranës, duke iu referuar periudhës së gjatë të paraburgimit të Veliajt dhe pamundësisë së tij për të qenë fizikisht në zyrë.

“Dje në mëngjes një qytetar shqiptar pas afro 20 muaj paraburgimi pa një vendim gjykate u mor nga institucioni ku mbahej dhe u dërgua në një qytet tjetër pa ju dhënë asnjë akt, pa ju treguar asnjë arsye as atij as avokatit të tij që e kërkoi zyrtarisht dhe sipas asaj që raportohet edhe Avokati i Popullit po e verifikon u vendos në një qeli izolimi. Kjo është absurde”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës, Merkoçi propozoi dy hapa konkretë që Këshilli Bashkiak të ndërmarrë për të kërkuar sqarime dhe për të vlerësuar ndikimin e situatës në funksionimin e pushtetit vendor.

Propozimi i parë lidhet me dërgimin e kërkesave zyrtare drejt Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, për të siguruar informacion mbi aktin dhe arsyet e transferimit, aksesin e avokatit dhe të Avokatit të Popullit, si dhe verifikimin e pavarur të kushteve të mbajtjes.

Si hap të dytë, ai kërkoi që administrata e Bashkisë së Tiranës të përgatisë një raport të dokumentuar mbi pasojat e kësaj situate për funksionimin e institucionit, përfshirë kompetencat që mund të kenë mbetur pezull, komunikimet e penguara dhe kostot apo vonesat për qytetin.

“Nëse ligjshmëria, transparenca dhe trajtimi njerëzor ekzistojnë, institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë kemi një problem që shkon shumë përtej emrit të Erion Veliajt”, përfundoi Merkoçi.