Dy kryetarë socialistë të dy komisioneve parlamentare, Farmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi, kërkojnë sqarime për mënyrën e transferimit të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit. Një burim nga grupi parlamentar i PS, në dijeni të këtij zhvillimi, i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se kërkesa është depozituar në Kryesinë e Kuvendit paraditen e kësaj të enjteje dhe i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.
Kryetarët socialistë kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin që ata e vlerësojnë si sekret shtetëror lidhur me lëvizjen e Erion Veliajt. Po ashtu, kërkojnë që t’u vihet në dispozicion praktika dokumentare e këtij procesi, për të verifikuar procedurat dhe komunikimet zyrtare që kanë shoqëruar transferimin.
Kërkesa e dy ligjvënësve socialist vjen pas një debati në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku Bledi Çuçi kërkoi shpjegime nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, për rastin e Erion Veliajt. Gjatë mbledhjes, Çuçi i është drejtuar ministrit me fjalët: “Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë ai.
Nga ana e tij, ministri Toni Gogu i është përgjigjur se pret që të vijë informacioni përkatës për të sqaruar procedurat dhe urdhrat e transferimit. Përndryshe, burimi i Top Channel raporton se dokumentacioni dhe komunikimet zyrtare mes Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë janë objekt i kërkesës së depozituar në Kryesi.
Materiali është njoftuar nga Top Channel.
