
Këshilltarët bashkiakë socialistë e ata demokratë kanë miratuar një rezolutë duke kërkuar transparencë për transferimin e kryebashiakut të PS-së nga burgu i Fierit në atë të Durrësit.
Këshilltarët socialistë kishin përgatitur një rezolutë, e cila u lexua nga këshilltari Halit Valteri. Përmes deklaratës së përbashkët, ata kanë pretenduar se nuk ishte bërë transparencë mbi vendimin e Drejtorisë së Burgjeve dhe se Veliajt nuk i ishin bërë të ditura arsyet e transferimit, shkruan Shqiptarja. Ata kërkuan nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve transparencë, si dhe verifikimin e heqjen dhe çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të kryebashkiakut.
Edhe këshilltarët demokratë dënuan transferimin e Veliajt drejt Fierit, duke pretenduar se nuk ishte bërë transparencë mbi vendimin e Drejtorisë së Burgjeve. Pasi paraqitën qëndrimet e tyre, ata braktisën mbledhjen.
Demokratja Ilda Zhulali gjatë fjalës së saj tha se Veliaj është dërguar në Fier për një status në Facebook, ku përgëzonte popullin serb për rrëzimin nga pushteti të Aleksandër Vuçiçit, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.
Zhulali kërkoi po ashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas protestave të dhunshme të zhvilluara prej disa ditësh në Tiranë.
“Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook. Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore, ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës. Të shtyhet miratimi i kredive të buta derisa të mësojmë sa nga përfituesit e kaluar janë bërë me shtëpi. Sot axhenda e ditës është revolta. Sot studentët janë atje dhe ju ftojnë të dilni”, tha mes të tjerash Zhulali.
Këshilltari socialist Halit Valteri tha se ka raportime se Veliaj po mbahet në Fier në kushte të rënda dhe se i janë ndaluar disa nga të drejtat bazë që duhet të ketë çdo i paraburgosur.
“Transferimi dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt, kërkoj mirëkuptim, ta shtrojmë këtë diskutim në Këshillin Bashkiak. Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje. Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor. Të kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet arsyet e këtij transferimi, vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të zotit Veliaj. Mesa di, ka edhe këmbën në allçi”, tha mes të tjerash Valteri.
Ndërkohë për demokratin Dorjan Teliti, Veliaj u rrëmbye dhe u ‘paketua’ për në Fier për qëllime politike. Teliti tha se institucioni i Bashkisë Tiranë s’mund të jetë aq pa dinjitet, saqë kryetari në detyrë të merret pa njoftuar dhe të transferohet pa transparencë nga Durrësi drejt një tjetër paraburgimi, atij të Fierit.
“S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Por mbi të gjitha kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë institucionin e Bashkisë së Tiranës aq zhele dhe pa dinjitet, sa pa njoftuar njeri marrin edhe atë që ne duhet ta kishim larguar siç duhet nga detyra. Për fat të keq me vendim të Kushtetueses është ende në detyrë. E marrin e çojnë atje në Fier, e paketojnë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh nga mediat. Duhet të ishte ngritur alarmi për rrëmbimin e tij”, tha mes të tjerash Teliti.