Italia pritet të përballet me vështirësi të shumta në lëvizje dhe në ofrimin e shërbimeve publike të premten, më 30 tetor, për shkak të grevës së përgjithshme të thirrur nga sindikata USB. Protesta organizohet kundër rritjes së kostos së jetesës, pagave të pamjaftueshme dhe shtrenjtimit të produkteve e shërbimeve bazë.
Ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, ka nxjerrë një urdhër për kufizimin e grevës në sektorin e transportit. Megjithatë, sindikata ka konfirmuar vijimin e protestës, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë.
Sipas njoftimit, trenat e Trenitalia dhe Trenord pritet të qarkullojnë rregullisht, ndërsa transporti publik lokal mund të përballet me vonesa dhe ndërprerje, në varësi të qytetit. Në Romë, autobusët, tramvajet dhe metroja rrezikojnë të pësojnë kufizime në shërbim.
Probleme në transport mund të ketë edhe në Bolonja dhe Torino, ndërsa në Milano greva e transportit publik është shtyrë. Aksioni pritet të prekë gjithashtu shërbimet e taksive, transportin ajror, portet dhe disa shërbime publike, përfshirë sektorin e shëndetësisë.
Përmes kësaj proteste, punonjësit dhe sindikata kërkojnë rritje të pagave në përputhje me inflacionin, ulje të çmimeve të produkteve bazë, faturave të energjisë dhe qirave, si dhe më shumë investime në shëndetësi dhe arsim.
Greva mund të shkaktojë vështirësi edhe në shkolla dhe zyra publike, ku mund të ketë vonesa në ofrimin e shërbimeve dhe pritje më të gjata. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të kontrollojnë paraprakisht oraret, linjat e transportit dhe shërbimet e garantuara përpara se të nisen në udhëtim.


