
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, deklaroi të enjten se kishte vendosur të largohej nga detyra tetë muaj përpara përfundimit të mandatit, në mënyrë që të mund të shprehet më lirshëm për çështje që shkojnë përtej politikës monetare.
Lagarde, 70 vjeçe, drejton BQE-në që nga nëntori i vitit 2019 dhe më parë ka qenë në krye të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Përndryshe, mandati i saj do të përfundonte në tetor të vitit 2027, shkruan Reuters.
«Nuk ka kurrë një moment të përshtatshëm për t’u larguar», tha Lagarde në një konferencë për shtyp. «Por kjo është e përfshirë në mënyrën e funksionimit të BQE-së: presidentët dhe anëtarët e bordit duhet të largohen, sepse nuk mund të rikandidojnë për një mandat tjetër».
Lagarde tha se vendimi për t’u larguar më herët u nxit nga dëshira për t’u angazhuar në çështje që nuk përfshihen në mandatin e BQE-së.
«Dua të kem lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes dhe lirinë për t’u angazhuar në çështje që nuk lidhen me politikën monetare», u shpreh ajo.
Ajo vuri në dukje se zyrtarët e BQE-së janë të detyruar të respektojnë rregulla të rrepta neutraliteti.
«Ne kemi detyrimin të ruajmë neutralitetin dhe komentojmë situatën duke u përqendruar te politika monetare», tha Lagarde, duke shtuar se ky mandat është «çmimi që paguajmë për të qenë të pavarur».
Lagarde tha se nuk ndihej më rehat duke heshtur për çështje më të gjera globale.
«Më intereson e vërteta dhe shoh se e vërteta dëmtohet shumë shpesh dhe kundërshtohet përmes paraqitjeve të shtrembëruara të fakteve», tha ajo, pa dhënë më shumë hollësi.
Duke iu referuar përvojës prej më shumë se dy dekadash në role ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, Lagarde tha se besonte se kishte diçka për të kontribuar edhe përtej fushës së bankave qendrore.
«Ka gjëra që mund t’i them — nëse njerëzit do të më dëgjojnë apo jo, kjo është një çështje tjetër. Por ndiej se duhet t’i them këto gjëra dhe nuk mund ta bëj këtë në pozicionin tim aktual», u shpreh ajo.
Lagarde u përpoq të qetësonte tregjet financiare dhe stafin e bankës, duke siguruar se largimi i saj i parakohshëm nuk do të pengonte funksionimin e bankës qendrore.
«Ka nisur tashmë një proces për të identifikuar pasardhësin tim», tha ajo, duke shtuar se kishte «plot kandidatë të shkëlqyer — në fakt, shumë më të mirë se unë».
Ajo hodhi poshtë shqetësimet për vazhdimësinë e punës së institucionit.
«Mos u shqetësoni se vendimmarrja do të mbetet pezull — jo, absolutisht jo», tha Lagarde. «Institucioni është i qëndrueshëm dhe i fortë si shkëmbi dhe do të vazhdojë të jetë i tillë».