Një helikopter ushtarak italian CH-47 u rrëzua të enjten pasdite në zonën e Brçkos, në Bosnjë-Hercegovinë. Mjeti ajror ishte pjesë e misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian, EUFOR Althea. Shkaku i aksidentit nuk është përcaktuar ende, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Siniša Milić, kryetar i qytetit të Brçkos, tha se bilanci fillestar është tre viktima dhe 12 të plagosur. Komanda e EUFOR-it konfirmoi se disa pjesëtarë të misionit kanë humbur jetën dhe të tjerë janë lënduar rëndë. Emrat e të përfshirëve dhe rrethanat e plota të rrëzimit pritet të publikohen pas verifikimeve zyrtare.
Të lidhura
None found
Ministria italiane e Mbrojtjes njoftoi se ekipet e shpëtimit reaguan menjëherë, por nuk dha hollësi të tjera për gjendjen e personelit në bord. EUFOR-i ka hapur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e aksidentit, që ndodhi gjatë një operacioni rutinë në verilindje të Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani shprehën ngushëllime për viktimat, si dhe solidaritet me familjet e tyre dhe personelin e forcave të armatosura.





